Editorial | Frika speciale e Thaçit

Editorial | Frika speciale e Thaçit

Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, u paraqit mbrëmë në një emision në Klan Kosova. Emisioni mendohej të ishte i një formati debatues, por faktikisht debati nuk ndodhi. Siç ndodh rëndom në atë studio televizive, të ftuarit e rëndësishëm, politikanë ose personalitete me peshë, bëhen monologues përmes qasjes thjesht ‘lëmuese’ që ofron drejtuesi i emisionit. Pyetjet e shtruara prej tij i japin mundësinë të ftuarve që të thonë saktësisht atë që duan të thonë.

Ja një nga pyetjet e tij:

Në vitin 2015, nëse, ë, mu më kujtohet, në një mënyrë apo tjetër… ata të cilët dëshironin ta kenin Gjykatën Speciale ju akuzuan se Gjykatën Speciale po e shtyni për ta mbrojtur veten. Dhe, presionin e bashkësisë ndërkombëtare e keni kërkuar vetë dhe dëshironi që me këtë akt, ë, t’jau hapni rrugën, ëm, që pjesëtarët e UÇK-së të shkojnë në burg. Tash, prapë i njëjti njeri po akuzohet por në mënyrën tjetër, tash po thoni se prapë e keni për veten, edhe pse se tash po e pengoni, ë, Gjykatën Speciale për t’u bërë ose për, ë, për t’u krijuar në, ë, gjykimet në Hagë. Për cilin Hashim Thaçi po flasim?” 

Nëse e lexojmë me vëmendje, mësojmë që teksti i mësipërm përbën një koment që sulmon oponentët politikë të Thaçit, dhe jo një pyetje drejtuar tij. Çka pritet të thotë Thaçi në vijim, merret me mend. Ai nuk është në defanzivë të pozicionit të tij, sepse qëndrimet e tij nuk lëkunden por përforcohen nga gazetari. Njësoj si në regjimet diktatoriale ku gazetarët duhet vazhdimisht të bëjnë pyetje që do ta qisnin në pozicion sa më të favorshëm liderin.

E megjithatë, edhe në këtë shfaqje u përvodhën do dromca vërtetësie. Presidenti ishte pa çehre. Nuk dukej aspak i disponuar, e madje edhe i frikësuar. Nga ajo që tha, dolën kundërthëniet e vjetra. Përpjekjen me anë të presionit që iu kishte bërë deputetëve të partisë së tij [PDK] ai e përshkroi “Proces i detyruar por me zotime.” Mbase Thaçi ka nevojë për do shpjegime elementare mbi kategoriken ose të detyrueshmen, dhe mbi hipotetiken, ose të kushtëzueshmen. Fjalia e çalë e Presidentit mund të përkthehet kësisoj: “Gjykata Speciale duhej të miratohej pa kusht, por në anën tjetër ne kishim kushtet tona.”

Se Presidenti ka probleme të theksuara me të folurit dhe dijen e kufizuar, pra injorancën, dëshmon edhe termi tjetër kundërthënës i përdorur për të përshkruar ndjesinë e tij për punën e sistemit gjyqësor. “Zhgënjim i lehtë apo i plotë” – tha Presidenti ynë duke mos kuptuar që e lehta nuk është sinonim me të plotën. Se Thaçi është një analfabet funksional kjo është dëshmuar në vijimësi nga një fjalor shumë i vogël, dhe nga gabime të ngjashme në përdorimin e gabuar të fjalëve.

Por, të mos e dekontekstualizojmë fjalinë. “Zhgënjimi” i tij i çuditshëm që thyen ligjet e logjikës, ishte prodhuar nga ngadalësia e punës së institucioneve të drejtësisë. Por ne nuk jemi budellenj. Ne e dimë që presidenti ynë kishte qenë tepër i përkushtuar në kapjen e këtyre institucioneve, në mënyrë që t’iu shërbenin ekskluzivisht atyre. Një gjë e tillë u evidentua nga “Afera Pronto” më parë, dhe nga përgjimet e lëshuara së voni që e lidhin Thaçin me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

T’i kthehemi zotimeve të komunitetit ndërkombëtar për Gjykatën Speciale. Ai përmendi liberalizimin e vizave, anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës, krijimin e shpejtë të ushtrisë – e pak më vonë – u kujtua edhe zotime të reja si, anëtarësimi në Unesco e në Interpol. Por, kundërthëniet e tij mbërrijnë kulmin kur ai thotë se megjithatë Gjykata Speciale është e nevojshme dhe se duhet të pastrohet ‘reja e zezë’ që ka rënë mbi Kosovën. “Rrëfimet fantastikoshkencore duhet të marrin përgjigjje” – tha ai. Duke e lidhur kështu fatin e disa individëve, me fatin e një vendi – dhe duke e quajtur këtë lidhje si krejtësisht të pashmangshme. Sipas Thaçit, me Gjykatën Speciale po gjykohej e gjithë Kosova. Dhe edhe në këtë pikë Thaçi bie në kundërshtim sepse pak minuta më herët duke u munduar të thoshte se nuk kishte ndërruar mendim, tha që do të gjykoheshin individët e jo lufta apo Kosova. Një gazetar i mirë, do të ndërhynte pas çdo fjalie të çalë të presidentit, duke e shtyer që të ishte sa më i qartë për opinion. Dhe ja disa pyetje të tjera të domosdoshme që do të duhej të bëheshin:

Zoti President, si ka mundësi që në një anë gjykata të jetë një proces i detyrueshëm ose i pakushtëzueshëm, e në tjetrën të ketë kushte e zotime? Kush iu dha këto zotime, konkretisht? Dhe, pse këto zotime nuk ishin formalizuar përmes ndonjë marrëveshje me shkrim? A dini të shkruani e të lexoni, dhe ç’është më e rëndësishmja të kuptoni atë që lexoni? A thatë më herët që gjykohen individët, si ka mundësi tash që po e thoni të kundërtën? E kështu me radhë.

Ndërkohë, për të luajtur rolin e një hipokriti Thaçi nuk ngurroi as kësaj here. Ai tha që nuk do të dilte kundër vullnetit të shumicës në Kuvend, dhe do të nënshkruante shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ai tha se nuk do të merrte “rolin e anshmërisë” në këtë rast, duke treguar edhe njëherë sesa trishtueshëm e vogël është dija e tij e përgjithshme, dhe sesi çalon në përdorimin e fjalëve.

 

 

Shpërndaje në: