Editorial | Kush e ka në dorë Kosovën?

Editorial | Kush e ka në dorë Kosovën?

Dje u arrestuan dhe deportuan nga Kosova pesë mësimdhënës të Kolegjit parauniversitar “Mehmet Akif” dhe një mjek që dyshoheshin se bënin pjesë në lëvizjen e Fetullah Gylenit, e shpallur terroriste në Turqi. As Thaçi, as Veseli dhe as Haradinaj nuk e morën përgjegjësinë për rastin në fjalë. Madje, të tre nuk ngurruan të kërkonin përgjegjësi dhe kjo rezultoi me shkarkimin e drejtorit të AKI-së dhe të ministrit të Punëve të Brendshme.

Shumë opinionistë të ndryshëm e akuzuan presidentin Thaçi si urdhërdhënësin e kësaj ndërmarrjeje të rrezikshme.

Por, të marrim për të mirëqenë faktin se Thaçi nuk ishte prapa asaj që ndodhi dje. Çka nënkupton kjo? Kjo e bën edhe më alarmante e shqetësuese gjendjen e sigurisë në Kosovë, jo vetëm për qytetarët e vendeve të huaja që punojnë e jetojnë në Kosovë, por sidomos për vetë kosovarët.

Kjo nënkupton që krerët e institucioneve, të zgjedhur nga qytetarët e Republikës, nuk ushtrojnë autoritet të plotë mbi institucionet. Domethënë, shërbejnë si ‘kukulla’ të komanduara nga politikat e huaja, por jo nga interesat kombëtare. E gjithë jeta institucionale mund të shihet nga ky pikëshikim si një fasadë që mbulon jetën parainstitucionale ku ndërveprojnë akterët e jashtëm. Pra, Republika nuk ekziston përtej objekteve që shërbejnë si strehimore sociale për presidentin, kryeministrit, kryeparlamentarin, ministrat, zëvendësministrat, dhe gjithë administratën. Një gjë e tillë dëshmohet edhe nga metodologjia qeverisëse e Pronto-s, ku nuk flitej për punët e shtetit, por për ‘rehatime’ familjarësh e të afërmish nëpër institucione.

Por, çka nëse Thaçi është urdhërdhënësi i deportimeve? Kjo e bën më pak të frikshme situatën, por shqetësuese megjithatë. Kjo dëshmon që vetë presidenti i Republikës së Kosovës është krejtësisht i komanduar nga presidenti autoritar turk Reccep Tayjip Erdogan. Kjo dëshmon poashtu se ky president ka qenë krejtësisht i komanduar në vazhdimësi edhe nga ndërkombëtarët me lëshime të shumta në procesin e dialogut me Serbinë. Për po të njëjtin, flitet se po negocion me Serbinë për ndarjen e Kosovës, megjithëse kjo ide e Vuçiqit është refuzuar kategorikisht nga ShBA-të, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe nga çdo shtet tjetër i madh që mbetet aleat i Kosovës. A mund të jetë Thaçi i komanduar edhe nga Serbia? Ajo që ndodhi dje, në qoftë se e ka Thaçin në prapavijë, e bën legjitim një dyshim të tillë. Një politikan i kapur me vargonjtë e veprimeve të pamençura politike e rrezikon të ardhmen e një vendi. S’do mend për një gjë të tillë.

Ndërkohë, Kosova pësoi një ndërhyrje të ashpër në kursin e saj ‘euroatlantik’ me atë që ndodhi dje. Kosova u bë shteti i vetëm që deportoi shtetasit nga Turqia për në vendin e tyre, ku do të përballen me gjykime e dënime të ashpra – siç ka ndodhur me qindra mijëra të tjerë. Nëse integriteti ynë territorial u dëmtua me ratifikimin e demarkacionit ku me gjasë i humbim 8200 hektarë, dje u cënua shumë keq sovraniteti i Republikës.

Edhe nëse ka, edhe nëse jo, dorë në këtë ndërmarrje, Thaçi duhet të detyrohet që të dorëhiqet!

Shpërndaje në: