Editorial: Pas vrasjes së Ivanoviqit, Kosova të këmbëngulë për shtrirjen e sovranitetit në Veri

Editorial: Pas vrasjes së Ivanoviqit, Kosova të këmbëngulë për shtrirjen e sovranitetit në Veri

Vrasja e Oliver Ivanoviqit në veri të Mitrovicës, ditën e djeshme, e qet sërish në ‘defanzivë’ Republikën e Kosovës. A e dini pse? Epo, në krye të qeverisë sonë kemi një duzinë trupash të pavyeshëm dhe mendjesh pësore që nuk mendojnë tjetër veçse për barkun e tyre. Për atë vrasje u raportua në mediet më të njohura ndërkombëtare. Dhe në një masë, për publikun ndërkombëtar të painformuar që ende e sheh Ballkanin me pamësinë ‘bardh-e-zi’, kjo ngjarje e cenon reputacionin dhe imazhin tonë si shtet. Pavarësisht asaj se kush e bëri, dhe pse, ndërkombëtari mendje-topitur do të mendojë se institucionet e Kosovës kishin përgjegjësi edhe për mbrojtjen e jetës së kërcënuar të Ivanoviqit. Ndoshta edhe ndonjë shqiptar aty-këtu.

Por, e vërteta është që institucionet tona nuk e kishin një përgjegjësi të tillë. Ato nuk kanë arritur që të shtrijnë sovranitetin e vendit në pjesën veriore të Kosovës, asnjëherë për dhjetë vite pavarësi. Ajo pjesë administrohet ende nga Sërbia, duke përbërë një gur të madh e të pathyeshëm që mund të çojë drejt ndarjes eventuale të vendit. Shkaku i këtij dështimi të pafalshëm ndodhet te padituria dhe përqendrimi i takatave vetëm në rritjen e forcave partiake, nga liderët institucionalë vendorë.

Vetë Oliver Ivanoviqi i ndjerë, e kishte thënë me gojën e tij para disa muajsh se ndihej i kërcënuar nga bandat që operojnë lirshëm në veri. Por, as ne nuk duhet të shohim ‘bardh-e-zi’. Nuk duhet të mendojmë që thjesht dhe vetëm Sërbia e administron atë pjesë. Jo, kemi të bëjmë me një hapësirë praktikisht të paadministrueshme. Me një tokë të askujt. Ose, më mirë thënë me një tokë bandash që nuk i përgjigjen askujt. Padyshim, kjo është përgjegjësia e Sërbisë, por nuk duhet paragjykuar se një gjë e tillë është e mirëmenduar dhe përllogaritur saktë prej tyre. Nc, këtu nuk ka logjikë. Megjithëse, për një mendje mesatare duhet medoemos që të reduktohen skemat e ndryshme në sa më pak aktorë, dhe në një rregullsi sa më të kuptueshme. Serbia, Rusia, Kosova, BE-ja e kështu me radhë. Por e vërteta është që, në Ballkan krijohen shpesh hapësira të mëdha të painstitucionalizuara, nga të cilat rrjedhin banda kriminale dhe aktivitete të ndryshme informale.

Si është e mundur? – mund të pyes një zyrtar i qeverisë që është mësuar me shpjegime të thjeshta. Epo, është e mundur sepse logjika institucionale shpesh ndërhyhet nga logjika të ndryshme tribale e kriminale. Bandat kanë fuqi që të shantazhojnë, që të kërcënojnë dhe që të vrasin. Tolerimi i logjikave të veprimit të painstitucionalizuar prodhojnë dëme të pariparueshme për shoqëritë. E me një logjikë të tillë aktualisht po vepron edhe kryeministri ynë, Ramush Haradinaj. Aksioni i drejtpërdrejtë politik është një fenomen i njohur në shoqëri ende-primitive, të pazhvilluara e të pavetëdijshme për pasojat e drejtpërdrejtësisë së aksioneve politike. Sepse, zonja e zotërinj, drejtpërdrejtësia e aksioneve tregon për mospendim konsekuencash, sidomos ato afatgjate.

Kosova do të duhej ta shprehte vazhdimisht shqetësimin në Bruksel për nivelin e lartë të krimit të organizuar, për bandat që kërcënojnë qytetarët e veriut, e të cilat ia kishin djegur veturën më herët po Ivanoviqit. Kosova do të duhej aktivisht të fliste për ekonominë joformale që buron nga rrugët kufitare në veri, e që shkapërderdhet gjithandej Kosovës. Shqetësim lidhur me sigurinë e mallrave ushqimore. Poashtu të shqetësohej pa hipokrizi për vetë qytetarët sërb të veriut, që jetojnë përditë në frikë e në pasiguri nga ajo zbrazëti institucionale. Por, nuk e bëri.

Kosova e përdori edhe në këtë rast narrativën nacionaliste duke folur vetëm për shqiptarët e shpërngulur nga ajo pjesë. Por, kjo nuk kishte peshë sepse ishte narrativë jostrategjike dhe e shpërfillshme nga Brukseli. Kishim poashtu një numër të madh serbësh që janë shpërngulur nga vendbanime të ndryshme në Kosovë. Kjo ndarje e tmerrshme në ‘ne/ata’ ende pulson në logjikën tonë institucionale.

Në relacion me sferat e painstitucionalizuara të pushtetit, në relacion me bandat, Kosova dhe Sërbia nuk mund të jenë vende armike. Kjo sepse, të dyja janë shtete, dhe për aq sa janë shtete, të dyja në thelb janë në kundërvënie me bandat, me sferat e painstitucionalizuara të pushtetit, narrativat e ndryshme morale e kombëtare. Bandat, e këtu nuk ka shumë rëndësi përkatësia e tyre ideologjike ose flamuri me të cilin mbështillen, nuk duhet në asnjë mënyrë të legjitimohen. Dhe nuk duhet poashtu që përbrenda logjikës ‘ne/ata’ të përfshihen edhe bandat dhe kriminelët.

Vrasja e Ivanoviqit do të duhej të përdorej nga Kosova si një argument më shumë për të shtrirë sovranitetin e vendit në veri të Kosovës. Kufijtë e Kosovës janë të pranuar edhe nga Serbia, megjithëse ajo pretendon ende se vendi ynë i takon asaj. Megjithatë, duhet përsëritur, që Serbia i pranon kufijtë aktualë të Kosovës. Prandaj nuk ka asnjë kuptim që pala jonë të heshtë në lidhje me veriun. Dhe të pranojë konsensuse absurde për atë pjesë, nga njerëz në Bruksel që nuk ia kanë idenë për problemin. Vendosja e institucioneve në veri të vendit është një çështje kollaj e argumentueshme bile pa e përmendur fare pavarësinë e Kosovës. Me një logjikë të thjeshtë institucionaliste. Dhe pikërisht këtu, Kosova duhet të jetë tepër ngulmuese.

Sovraniteti territorial i një vendi është i rëndësishëm, por po aq i rëndësishëm mos më shumë, është edhe sovraniteti i kësaj logjike institucionale. Çdo çarje e kësaj logjike, siç po ndodh aktualisht në Kosovë, çon në thërrmimin e idesë së shtetit tonë.

Pamëdyshje, BE-ja ka të metat e saj, por është larg projekti më i suksesshëm ndërkombëtar që ka funksionuar ndonjëherë. Dhe Kosova duhet ta ndjekë rrugën drejt BE-së jo përmes politikanëve fisnorë si Haradinaj e Thaçi. Kosova duhet ta kultivojë institucionalizimin e konstitucionalizmin, gjëra më zor të aplikueshme, por padyshim që do t’i jepnin shtytje shumë më të madhe drejt BE-së. Dhe BE-ja është shumë e institucionalizuar, besoj kjo dihet nga liderët tanë që përsërisin pareshtur se po e ndjekin rrugën euroatlantike.

Jo, e vërteta është që Kosova nuk po e ndjekë rrugën atlantike. Një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës që iu gëzuan vrasjes së Ivanoviqit, poashtu nuk ia kanë idenë se çka nënkupton të futesh në BE. Në rend të parë, duhet respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Poashtu, duhet hequr nga mendja koncepsioni religjioz mbi njeriun: njeriu është ai që është, një e dhënë e pandryshueshme. Edhe nëse i ndjeri Ivanoviq ka bërë krime lufte, me këtë çështje do të duhej të merrej drejtësia. Institucionet e drejtësisë. Dhe veç kësaj, njerëzve nuk duhet t’u prezumohet vetëm pafajësia para se të gjykohen ndryshe nga institucionet përkatëse, por edhe t’iu prezumohet pafajësia kur ata të gjykohen dhe të mbajnë dënimin për krimet eventuale. Oliver Ivanoviq ishte një serb lojal ndaj shtetit të Kosovës. Ndër të rrallët. Dhe nëse kemi interes që të mos bëjmë spastrim etnik, atëherë do të duhej të kultivoheshin marrëdhëniet me serbët e tillë – në dëm të serbëve destruktivë. Nëse jemi të interesuar për integrimin e komunitetit serb në Kosovë, e kjo është një ndër shtyllat e Pavarësisë sonë, atëherë do të duhej që të mos bëjmë përjashtime të tilla naive.

Një ditë para se të vritej Ivanoviqi, Kadri Veseli deklaroi se “nuk do të ndalemi deri në Nish” duke iu drejtuar Sërbisë. Vëllai i Ramush Haradinajt, Dauti, kur i pari po mbahej në Hagë kishte deklaruar: “Nëse ekstradohet Ramushi, nuk do të ketë asnjë serb në Kosovë”.

Kjo logjikë nuk është institucionale. Kjo është logjikë bandash. Dhe kjo rrugë nuk çon aspak drejt BE-së, por drejt një rrotullimi të përhershëm në ciklin e mbyllur të historisë, drejt një ngecjeje të përhershme në Ballkan.

 

 

Shpërndaje në: