Editorial i Periskopi’t: Mos bini në provokime!

Editorial i Periskopi’t: Mos bini në provokime!

Sikurse edhe në shumëçka tjetër, përpjekja e pushtetit për t’ia japë malin popullit flet për imagjinatë të varfër. Flet për shijen personale të liderëve, të krijuar gjatë fëmijërisë përplot kulçedra e zana të malit. Dhe, ngjashëm me atë raportin historik të RTK-së nga viti 2003 – për kulçedrën që zbriti nga qielli i Lipjanit “në mënyrë të ran’cishme” – edhe përpjekjet e sotme të pushtetit për të krijuar panik janë të nivelit të njejtë. Drama e Brukselit, Muri i Berlinit në Mitrovicë, Treni Pushtues dhe Taxi i Terrorit e mbajnë nënshkrimin e mendjeve pa ima gjinatë që gjatë jetës ia huqën të shohin filma të mirë.

Të mos keqkuptohemi: po flasim për mendjet e pushteteve të sotme në Serbi dhe në Kosovë. Po, po. Me kompetencë mund të pohojmë se janë identike – kulturalisht, intelektualisht dhe personalisht. Të dy grupet kanë gjithçka të përbashkët. Nënshtrimin e jashtëm dhe lazdrimin e brendshëm. Smirën ndaj njëri-tjetrit dhe urrejtjen mes njëri-tjetrit. Frikën nga e huaja. Mosmarrëveshjen me bashkëkohësinë. Fascinacionin me gjëra që s’i kuptojnë: shembull, me evolucion dhe email. Po s’besuat, i pyetni.

Që të dyja grupet janë në pushtet falë intervenimeve të bashkësisë ndërkombëtare: si Vuçiq/Nikoliq ashtu edhe Mustafa/Thaçi. Që të dyja e kanë obsesion ndryshimin e të kaluarës, e jo të sotmes. Që të dyja luftojnë me mullinj të erës dhe ëndërrojnë princesha fshati. Që të dyja llogarisin në fuqi të huaj. Që të dyja janë të dala nga tradita e kaçakëve e hajnave. Që të dyjat përbehen në integrime evropiane dhe euroatlantike, e nuk e njohin asnjë gjuhë të huaj. As anglisht, madje. Po s’besuat, i pyetni – që t’katërtit. Dhe, që të dyja, botëkuptimet personale i kanë të formuara gjatë fëmijërisë pa rrymë elektrike dhe trotuar deri në shkollë.

Tutje, që të dy këto pushtete janë në krye të dy popujve të cilët, të shumtën, janë të ngjashëm me to dhe mes vete. Për shumëçka, këta vërtet meritojnë t’i udhëheqin ata. Në të dy anët, më shumë se gjysma e popullit janë identikë me ta. Së paku nga 51 per qind, në të dy anët. Kjo dëshmohet rregullisht, në çdo cikël zgjedhor. Andaj, është gjithsesi demokratike zgjedhja e tyre në ballë t’oxhakut. S’do mend, që të dyja janë reflektim i mendjes së shumicës. Me këtë, rregullisht, pajtohet edhe bashkësia ndërkombëtare. Dhe, natyrisht, këtu gabon rëndë.

Pra – kush është i rrezikuar prej këtyre? Shumica? Jo. Shumica është me ta.

Historikisht, është pikërisht pakica e këtyre popujve që është në rrezik prej tyre. Në të dy anët, është pakica popullore të cilës këta i druhen dhe të cilën e urrejnë – kulturalisht dhe personalisht. Në rrezik janë ata që nuk i takojnë mendësisë së tyre të drangojve e zanave të malit. Janë të rrezikuar ata për të cilët bota është e ndërlikuar, por jo misterioze. Janë të rrezikuar ata që llogarisin vetëm në fuqinë dhe aftësinë e vet. Ata që besojnë se politika është komunikim dhe përgjegjësi, e jo mrekulli dhe tragjedi. Ata që nuk e urrejnë të huajën vetëm pse nuk e kuptojnë. Ata që politikën e shohin veprim në shoqëri, e jo këndim në odë. Ata që, së paku, dijnë anglisht.

Keni parasysh, pushtetet e sotme në Serbi dhe Kosovë janë nën shtetrrethim. Të kërcënuar nga një botë që nuk po e njohin më dhe nga kohët që po ndryshojnë aq shpejt. Çdo ditë, bota është më e komplikuar për ta. Çdo ditë, problemet saj po bëhen ndër-kontinentale, e më pak ndër-nacionale, e lëre më ndër-provinciale. Me të drejtë, frikësohen se do të marrin fund në plehun e historisë, të harruar e të përqeshur. Sot, ethet e të qenit i rëndësishëm po i shtyjnë këto pushtete që ta nxjerrin palaçon nga vetja. Sot shahen me nëna, nesër pajtohen. Nesër flasin për luftë, pasnesër për paqe. Në mëngjes flasin në telefon, në darkë kërcënojnë dynjanë.

Tash e sa kohë, që të dy këto pushtete – Vuçiq/Nikoliq, Mustafa/Thaçi – duhet të kuptohen dhe të analizohen bashkërisht, jo ndaras. Janë fate të ndërlidhura dhe kultura identike.

Për pikëllim, të ngjashme janë edhe shumicat popullore që u besojnë, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Edhe ato, natën i nxjerrin shpatat kundër kulçedrave e ditën presin kokëulur nëpër Merdare e Jarinje, me dokumente në duar. Qajnë për mëmëdheun derisa presin në rend për vizë, e sidomos për azil. Postojnë trimëri nëpër rrjete sociale dhe pastaj u blejnë ‘Plazma’ fëmijëve. E shajnë Jugosllavinë dhe e lavdojnë arsimin e viteve ’70 e ’80. Për gjynah.

Që të gjithë këta së bashku – këto pushtete dhe xhematet e tyre – kanë problem me pakicën. Si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë pakica përbën ‘rrezik për shtetin’. Ajo paraqet kërcënim të mirëfillt kulturor e politik për rendin e gjërave në shoqëri. Mbi të gjitha, i druajnë pakicës meqë ajo që kuptohet pakicë në shoqërinë e tyre është shumicë në shoqëritë e tjera. Shumica në Serbi dhe Kosovë – e edhe në Ballkan – është pakicë kudo tjetër.

Pikërisht kjo, kemi frikë, ishte dhe mbetet themeli i problemit. Shumicat popullore të Ballkanit të vogël pajtohen me pakicat mendore të botës së madhe. Pajtohen me ata pak të mbetur që besojnë në përralla,gënjeshtra, fallxhore e mistere. Me ata që besojnë se koha mund të ndalet, që e kaluara mund të kthehet dhe që rrena s’është tjetër veçse një ‘fakt alternativ’.

Presim që këtë vit, këto shumica popullore të përdoren efektshëm nga këto pushtete, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Lajmet heroike për ndërtimin dhe rrënimin e Murit, për nisjen dhe ndalimin e Trenit, për spektaklin e Taxit te Grandi do t’u kushtohen po këtyre shumicave. Janë kod i komunikimit të ndërsjellë brendanjë kulture identike që njeh vetëm drama fshati dhe tragjedi qytetesh. Do të jenë po këto xhemate politike nga të dy anët që do të mobilizohen për manifestime gjatë këtij viti zgjedhor, si në Kosovë ashtu dhe në Serbi. Andej dhe këndej kufirit do të dalin në mbrojtje të ‘pafajësisë dhe vlerave të luftës’, porse në realitet do t’i mbrojnë krimet e veta, do t’i fshehin fajet e shumicës që i mbështet, duke i promovuarvlerat e pasluftës. Hajninë dhe zhvatjen.

Do të përpiqen ta mbrojnë veten dhe pasurinë e vet duke shpërndarë frikë të marrëveshur mbi ‘armikun shekullor matanë kufirit’. Si në Serbi ashtu edhe në Kosovë do ta akuzojnë pakicën për ‘rrënim të integritetit territorial dhe rendit kushtetues’. Do ta arrestojnë opozitën e t’i fyejnë mediat. Do t’i shpeshtojnë manifestimet përkujtimore prej nga do të kërcënojnë me gisht ‘në emër të nënave dhe fëmijëve’. Do të rikujtojnë kërcenimet e ndërsjella nga ‘matanë kufirit’ duke shpresuar se e heqin qafe kërcënimin brenda kufirit. Edhe më shumë, gjatë ditëve, “në mënyrë të ran’cishme” do të dramatizojnë mure, trena e taxi – në shpresë që rendi i gjërave nuk do të ndryshojë.

Andaj, mos bini në provokime. Mos u bëni shumicë. Nëse doni të protestoni, dilni me pakicën. Në Ballkan, shumica manifeston – nuk proteston. Mos mendoni si shumica. Gjithnjë keni parasysh që shumica e këtushme është pakicë kudo tjetër. Liderët e shumicës këtu janë kriminelë ordinerë kudo tjetër.

Sërish, mbrëmë në Bruksel liderët e shumicave të Kosovës e Serbisë u takuan me britmë dhe u ndanë në heshtje. Ndërmjet, e tëra që guxuan ta flasin ishte për ushqim, telashe me shtypje të gjakut dhe futboll. Për të gjitha të tjerat u përkujdesen ata që i ftuan. Si edhe zakonisht, nikoqirët përkujdesen edhe për draftin e parë, edhe të dytin, edhe të njëqindtin – por me një kusht: që liderët e shumicave t’i zbatojnë urdhërat e dhënë. Vetëm kësisoj atyre mund t’iu vazhdohet edhe ‘përkrahja e fuqishme ndërkombëtare’ dhe, madje, kohëpaskohe të cilësohen edhe si ‘burrështetas’. Por, urdhërat duhet të zbatohen.

Epo, me natën e mbrëmshme u shpërfaq se janë po këta urdhëra me të cilët liderët e shumicave kanë filluar të kenë problem. Besojmë se prej mbrëmë, liderët e hetuan se zbatimi përfundimtar i tyre po del të jetë edhe vetëvrasje e tyre. E kuptuan se, pasi t’i kenë dorëzuar të gjitha, do t’iu duhet ta dorëzojnë edhe veten. Sikurse njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, ashtu edhe luftimi i krimit të organizuar në Kosovë do ta nënkuptojë edhe fundin e tyre – sado e pabesueshme apo e largët që mund të duket kjo. E këtë, nuk do ta lejojnë.

Mbrëmë, liderëte shumicave serbo-shqiptare u kthyen në shtëpi duke shpresuar në provokimin e pakicave nëpër shoqëritë e veta. Besojmë se, si kurdoherë më parë, në muajt e ardhshëm do t’i shohim teksa e sulmojnë opozitën, i fyejnë kritikët, i arrestojnë kundërshtarët. Do të bëjnë çmos për ta ngritur pakicën në rrugë dhe pastaj ta fajësojnë për kriza e konflikte.

Është kjo mënyra e vetme e tyre për ta shtyrë vetëvrasjen e sigurt, aq sa të munden. Andaj, mos bini në provokime. Muret, Trenat e Taxit janë spektaklet e tyre. Janë përpjekje e këtyre pushteteve për ta zgjatur jetën. Janë grackat e tyre primitive për taprovokuar pakicën e revoltuar – të cilës, pas tymit të lotsjellësve do t’i mbajnë ligjerata për bashkëjetesë dhe paqe multi-etnike. Mos bini në provokime. Mos ua leni në pronë ‘fjalorin paqësor’ dhe ‘arsyeshmërinë politike’. Kjo do t’ua zgjaste jetën edhe do ditë. Mbase, edhe për pak ditë – porse edhe një ditë më tepër me ta është tepër e gjatë.

Mos keni gajle: keni parasysh që shumica popullore në Serbi e në Kosovë nuk protestoi për Murin dhe Trenin. Ato e dijnë se këto janë të bëma të pushtetit të cilin e përkrahin dhe në të cilin llogarisin. Sado e pabesueshme që tingëllon kjo, shumicat popullore atje dhe këtu i besojnë pushtetit. Llogarisin në ta dhe, sikurse edhe për ata, shtetin e dinjitetin i kanë vetëm fjalë koti.

Në Ballkan, shumica e ka një të mirë: nuk e pyet kush gjë përtej kufijve të vet. Ajo përdoret, por nuk pyetet. Kohëpaskohe, liderët e saj përdoren dhe manipulohen si arsyetim, jo si arsye. Sot, pushtetet e shumicës nëpër Maqedoni, Shqipëri, Kosovë e Serbi janë në hall me botën matanë kufijve. Jo pse nuk janë të dëgjueshëm e të nënshtrueshëm, por pse u ka skaduar afati i përdorimit. Presioni mbi ta po shtohet, e me të edhe paniku. Shpëtimin e vetëm do ta shohin në provokimin e pakicës.

Andaj, s’është për të vajtuar nëse jeni pakicë. Në Ballkan, kjo është kompliment dhe nënkupton cilësi. Përdoreni cilësinë për të protestuar kundër hajnisë së pushteteve të shumicës. Kundër zhvatjes. Kundër heronjëve të rrejshëm. Kundër terrorit të mendjes së pazhvilluar. Kundër modelit të shoqërisë që vozitë makina të vjedhura mbi asfaltin e vjedhur. Protestoni kundër shumicave së tyre që kurrë nuk i besuan fjalëve të veta.

Mos harroni: ndryshimi është synim i pakicës. Shumica don pasul çdo ditë.

 

Shpërndaje në: