Editorial | Si duhet të gjuash me armë prej sot e tutje?

Editorial | Si duhet të gjuash me armë prej sot e tutje?

Pas shpalljes së pafajësisë së Limajt në rastin e njohur si “MTPT”, zëvendëskryeministri Dardan Gashi ishte filmuar duke gjuajtur me armë nga gëzimi. Sot në Kuvendin e Kosovës ai u thirr në interpelancë nga LDK-ja por nuk u votua rezoluta për shkarkimin e tij. Siç ndodh rëndom, edhe kësaj here veprimi i papranueshëm i një individi iu nënshtrua autoritetit dhe pozicionit të tij. Gashi njihet si arkitekti i Qeverisë Haradinaj, meqë e kishte rolin kyq në formimin e saj. Dhe mund të supozohet që roli i tij vazhdon të jetë shumë aktiv duke funksionuar si riparues i çarjeve të mundshme mes katër partnerëve të koalicionit qeverisës. Dhe me gjasë gëzimi i tij për pafajësinë e Limajt është gëzimi i një njeriu që e kishte shpëtuar fatin individual – duke qenë se si i dënuar Limaj do të rishqyrtonte koalicionin me PDK-në. Prandaj, shkarkimi eventual i zëvendëskryeministrit dhe ministrit mund ta kishte lënë gjithë Qeverinë në një rrezik të madh përçarjesh dhe shpërbërjeje. Mirëpo, pozicioni kyq i këtij njeriu në qeveri e përligji një veprim që duhej konsideruar si i papranueshëm dhe i dënueshëm. Dhe zërat nga kuvendi për ta bërë një cilësim të tillë munguan.

Si zakonisht, në kuvend çdo çështje banalizohet në përmasa të papërfytyrueshme. Deputeti Nait Hasani tha që “njeriu gjuan me armë për t’i hequr të ligat”, ndërkohë që deputeti tjetër Glauk Konjufca bëri hajgare me ‘aftësinë e zëvendëskryeministrit për të gjuajtur me armë’ dhe jo nëse kjo ishte ose nuk ishte një shkelje që meritonte dënim politik, dmth shkarkim nga posti.

U thanë poashtu edhe klishetë e çdohershme se Kosova ka shumë çështje të tjera më të rëndësishme, e probleme më të mëdha me të cilat do të duhej të merrej. Zëvendëskryeministri Limaj tha se do të ishte i lumtur sikur ky të ishte problemi më i madh për Kosovën. Duket që retorika boshe është një zanat që mësohet kollaj. Puna e kuvendit u karakterizua nga një mungesë shqetësuese serioziteti për trajtimin politik të këtij rasti. Madje, disi i çinteresuar të merrej me problemin dukej edhe deputeti Albin Kurti. Ai qeshi me deklarimet e Glauk Konjufcës dhe kur doli në foltore tha veëtm që veprimi i ministrit Gashi përbënte ‘kulturë të keqe’ e ‘delirante’ i cili ishte devijim nga tradita shqiptare. E sipas kësaj tradite, Kurti tha që personi me armë do të duhej të gjuante në mënyrë ‘hirëplote’. Pra, për Lëvizjen Vetëvendosje që kërkon shtet të së drejtës, e vetmja mangësi në veprimin e Dardan Gashit ishte mungesa e hirit ose taktit në të gjuajtur. Në kanunin e përgatitur nga Shtjefën Gjeqovi nuk ka udhëzime se si të gjuhet. Kjo të kujton ligjërimet e hoxhallarëve të ndryshëm kosovarë kur përshkruajnë ‘mënyrën e duhur’ sesi duhet rrahur gruaja. Dhe kjo është shqetësuese sepse Lëvizja Vetëvendosje është ajo që e ruan njëfarë diskursi serioz e të rregullt, pa inkonsistenca të çuditshme në to – siç ndodh me deputetët e tjerë të grupeve tjera parlamentare.

Ajo që ndodhi sot në kuvend është normalizimi i kësaj praktike. Gjuajtja me armë në raste festash praktikohet nga një numër shumë i madh njerëzish në Kosovë, por kjo meriton ndëshkim e jo normalizim. Ajo u tha se bënte pjesë në traditën tonë shqiptare, por a nuk duhet t’i shohim praktikat që rrjedhin nga tradita në mënyrë kritike? Pastaj, a nuk duhet vënë në pikëpyetje tradita në vetvete? Nuk do shumë mend për të kuptuar që tradita ka të bëj para së gjithash me pjekjen e shprehive të ndryshme nga pjesa më e madhe e një shoqërie. Tradita shërben edhe si njëfarë ushtrimi i pushtetit nga diskursi i caktuar. Dhe duhet thënë troç se pjesë e traditës sonë janë edhe njëmijë-e-një gjëra të papranueshme të cilat performojnë shtypje e dhunë mbi burra, fëmijë dhe në veçanti gra.

Për më tepër, tradita shqiptare ka përftuar njëfarë karakteri të natyrshëm anti-institucional duke qenë se populli formonte praktika të ndryshme rezistuese ndaj pushtetit serb ose më herët osman. Kjo lloj rezistence ndja institucioneve vërehet edhe sot, megjithëse vetëqeverisim në një masë të madhe me institucionet. Toleranca e kësaj rezistence vërehet edhe sot, madje qysh në kuvendin tonë. Edhe me mënyrën sesi u trajtua veprimi i papranueshëm i zëvendëskryeministrit Gashi.

Natyrisht, në nivelin reprezentativ ose përfaqësimor – të cilin e përmendte shpesh Kurti në një intervistë televizive mbrëmë – është e vështirë të deklarosh qëndrimet më të thekshme jokonformiste. Është e vështirë të thuhet që “traditat tona janë të këqija” kur ke në mendje një masë njerëzish që kërkon t’i influencosh. Por, populizmi është mosvet i rrezikshëm sepse pranon humbjen në përpjekjen për ndikimin e masës duke pranuar pushtimin nga diskursi i saj. Shumica e deputetëve që folën në Kuvend i kishin në mendje ata mijëra njerëz që po i ndiqnin nga televizorët e tyre duke mos dashur t’ua prishnin rehatinë e budallallëkut të mendjeve. Por kjo qasje përveçse e dëmshme për shoqërinë është e dëmshme edhe për vetë përfaqësimin e tyre publik. Sepse kjo e zhvlerëson fjalën, dhe e ulë nivelin në atë të deputetëve më të dobët të Kuvendit. Kur thua diçka, pavarësisht se sa bukur e artikulon, nëse ajo është joserioze rrezikon të mos merresh më seriozisht.

Veprimi i zotërit Dardan Gashi meritonte një dënim politik. Dardan Gashi meritonte të shkarkohej. Ndryshe, përçohet haptas mesazhi se një e bëmë e tillë është e lejueshme, e madje edhe e preferueshme në ambiente familjare e shoqërore. Për ta zgjedhuar më tej kuptimin e kësaj mund të thuhet që njerëz të ndryshëm madje, duke u nxitur nga deklaratat e Konjufcës, do të mund të provojnë shkathtësitë e tyre në qitje. Të bëhen qitës hirëplotë.

Gjuajtja me armë promovon mendësinë kanunore e tribale e cila i bën ballë rendit ligjor. Legjitimimi i kësaj praktike festive nënkupton njëkohshëm legjitimimin e armëve të paligjshme që ndodhen në shtëpitë e shumë qytetarëve. Nënkupton që policët duhet t’i mbyllin sytë para akteve të tilla, siç i mbyllin para pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura.

Mbase nevoja e vetme që e prodhoi diskutimi i sotëm në kuvend ishte hapja e ndonjë kursi për gjuajtje me armë për qeveritarët e tjerë me udhëzime teorike nga Albin Kurti dhe udhëzime praktike nga Ramush Haradinaj.

Shpërndaje në: