Ekspertët e OKB-së kërkojnë hetimin e dosjes “Epstein”

Ekspertët e OKB-së kërkojnë hetimin e dosjes “Epstein”

Miliona faqe të dosjes “Epstein” sugjerojnë ekzistencën e një ndërmarrjeje kriminale globale që ka kryer akte që përmbushin pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit.

Kjo sipas një paneli ekspertësh të pavarur të emëruar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara.

Ekspertët thanë se krimet e përshkruara në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve u kryen në një sfond të besimeve supremaciste, racizmit, korrupsionit dhe mizogjinisë ekstreme.

“Shkalla, natyra, karakteri sistematik dhe shtrirja e këtyre mizorive kundër grave dhe vajzave është aq e rëndë, sa një numër prej tyre mund të përmbushë pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit”, thanë ekspertët në një deklaratë.

Sipas tyre, akuzat e përfshira në dosje kërkojnë një hetim të pavarur, të plotë dhe të paanshëm. Ata kërkojnë gjithashtu të sqarohet se si krime të tilla u lejuan të kryheshin për një kohë kaq të gjatë.

Ekspertët e OKB-së ngritën shqetësime edhe në lidhje me redaktimin e gabuar që Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka bërë përpara publikimit të dosjeve, pasi u ekspozuan informacione të ndjeshme.

Më shumë se 1 mijë e 200 viktima u identifikuan në dokumente.

Publikimi i dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë ka zbuluar lidhjet e bankierit famëkeq Epstein me elitën botërore, para dhe pasi ai u shpall fajtor për prostitucion dhe abuzim me të mitur./Periskopi/

Shpërndaje në: