Eksplozivi i gjetur në Zubin Potok, policia jep detaje

Eksplozivi i gjetur në Zubin Potok, policia jep detaje

Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar rreth 140 kilogramë eksploziv në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jaglenicë, në zonën e Zubin Potokut.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur për KosovaPress, se eksplozivi është zbuluar gjatë një patrullimi rutinë, pasi njësitë policore kanë pranuar informacione se në atë lokacion mund të kishte materiale ilegale.

“Komuna është në Zubin Potok, afër një fshati, Jaglenicë, në zonën e Zubin Potokut. Ato 140 kilogramë, të cilat pas matjes kanë rezultuar në atë sasi, kanë qenë të vendosura në një shtëpi të pabanuar, e cila është e braktisur dhe nuk ka mundësi me u banuar, kështu teknikisht nuk është në rregull. Gjatë patrullimit rutinë, njësitë e Policisë së rendit kanë pranuar informacion se në atë vend mund të ketë diçka ilegale, kanë hyrë dhe kanë gjetur këtë sasi të madhe të eksplozivit,” ka thënë Elshani.

Ai ka theksuar se aktualisht nuk mund të konfirmohet nëse rasti ka ndërlidhje me ndonjë ngjarje tjetër, përfshirë rastin e Banjskës, pasi hetimet janë ende në zhvillim.

Sipas Elshanit, Policia e Kosovës nuk ndërhyn pa arsye në lokacione të caktuara dhe në mbi 90 për qind të rasteve vepron mbi informacione të besueshme për veprimtari ilegale./KP/ Periskopi/

Shpërndaje në: