Elmi Reçica takon disa doktorë: Tema kryesore ishte nevoja urgjente për përmbylljen e ndërtimit të Spitalit Regjional të Ferizajt
Kandidati i PDK’së për deputet, Elmi Reçica ka takuar so me disa doktorë nga Ferizaj, raporton Periskopi.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se gjatë këtij takimi temë ishte përmbyllja urgjente e Spitalit Regjional të Ferizaj.
Reçica tutje thotë se projekti i spitalit nuk është luks, por domosdoshmëri.
Njoftimi i plotë:
Sot pata kënaqësinë të zhvilloj një takim shumë të frytshëm me disa nga doktorët më të dëshmuar të Ferizajt. Biseda rrjedhi natyrshëm rreth preokupimeve të tyre të përditshme, duke nxjerrë në pah sfida që i prek çdo qytetar. Tema kryesore ishte nevoja urgjente për përmbylljen sa më të shpejtë të ndërtimit të Spitalit Regjional të Ferizajt. Ky projekt nuk është luks, është domosdoshmëri. Është hapësira e punës që u duhet mjekëve dhe shërbimi cilësor që e meriton qytetari ynë.
Diskutuam edhe për sfidat e përditshme: radhët e gjata, mungesën e disa shërbimeve dhe presionin që vjen nga rritja e vazhdueshme e popullsisë. Ishte një bisedë e hapur e sinqertë, me shembuj konkretë nga terreni dhe me pritje të drejta për të ardhmen. Në veçanti, shpreha falënderimin tim të sinqertë për punën, përkushtimin dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, të cilin po e bëjnë në kushte shumë të vështira pune, vetëm që qytetarët tanë të marrin shërbim, kujdes dhe ndihmë të merituar.
Takime të tilla më forcojnë bindjen se Ferizaj ka profesionistë të jashtëzakonshëm. Detyra jonë është t’u krijojmë kushte, t’i dëgjojmë dhe të çojmë përpara punët që qytetarët i presin me të drejtë.



