Erdogan: Vendimi i Izraelit është i papranueshëm, mbështetja për Palestinën vazhdon
Vendimi i Izraelit për të marrë kontrollin ushtarak të Gazës është “absolutisht i papranueshëm”, i tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, presidentit Palestinez Mahmoud Abbas në një telefonatë.
Të dy udhëheqësit diskutuan sulmet e Izraelit ndaj Gazës dhe zhvillimet e fundit në rajon, sipas Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë.
Erdogan përsëriti gjatë bisedës se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Palestinës, raporton trt.global, transmeton Periskopi.
Duke i quajtur të vlefshme deklaratat e Francës, Britanisë dhe Kanadasë mbi njohjen e mundshme të shtetit palestinez, Erdogan vuri në dukje valën në rritje të kritikave ndaj Izraelit në Perëndim, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për paqe në rajon.
Ndryshe, edhe shefi i OKB-së ka dënuar vendimin e Izraelit.
Antonio Guterres, ka kritikuar ashpër planin e Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, duke e cilësuar vendimin si “një përshkallëzim të rrezikshëm” që rrezikon “të thellojë pasojat tashmë katastrofike për miliona palestinezë”./Periskopi



