Ethet e Kushtetueses: Guximtarët krah Vjosa Osmanit, në VV heshtje totale

Ethet e Kushtetueses: Guximtarët krah Vjosa Osmanit, në VV heshtje totale

Vjosa Osmani, e votuar me plot 300 mijë e 788 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit si prijëse e listës së Lëvizjes Vetëvendosje (me ish-partinë e saj Guxo), sot është përballë vendimit që ia rrezikon postin e Presidentes. Nga Presidenca dhe nga Lista Guxo, kanë filluar reagime duke e vlerësuar këtë proces si ‘puç’ dhe ‘skenar të Serbisë’. Në Vetëvendosje, deri tani ka heshtje totale…

Gjykata Kushtetuese pritet të nxjerr së shpejti vendim i cili përcakton të ardhmen politike të Vjosa Osmanit, në postin e Presidentes. Kjo pasi, katër paragrafë të një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ku pranohej pjesërisht e bazuar ankesa e partive të komuniteteve pakicë për ndërhyrjen që kishte pasur në procsin e votimit Lista Serbe, mund t’i japin Kushtetueses argumente që dy deputetë nga këto komunitete të shpallen jolegjitim, rrjedhimisht edhe votat e tyre për Vjosa Osmanin Presidente.

Blerim Vela, shef i Kabintetit të Presidentes, nëpërmjet një serie cicërimash të ashpra në Tëitter, i ka quajtur ‘dezinformata që burojnë nga Beogradi’ të gjitha raportimet e fundit lidhur me këtë temë, e madje shkon edhe më larg, duke e quajtur ‘tentim puç”.

“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, shkroi Vela në Tëitter.

E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve. Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë”, shkroi Vela.

“Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë”, shkroi ai.

Burim Meta, deputet i Guxo në Kuvendin e Kosovës, i ka thënë Periskopit se ‘më parë rrëzohet një bjeshkë e madhe, sesa Vjosa Osmani”

“Nuk  besoj që mundet me ndodhë një gjë e tillë. Nuk do të ndodh për shkak se nuk ka ndonjë shkelje. Më përpara mundet me u rrëzu ndonjë kodër e madhe sesa Vjosa Osmani”, tha ai për Periskopin.

Faton Peci, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Osmanit, i ka thënë Blicit se “sulmi mbi cilindo prej tyre është sulm mbi të tre, mbi të gjithë ne, e para së gjithash mbi shtetin demokratik e pushtetin e ri”.

“Një veprimi të tillë me siguri do t’i gëzohej Beogradi zyrtar, sepse ky në fakt është skenar i Serbisë për destabilizim institucional të Kosovës”, vlerëson ministri Peci./Periskopi

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: