Farhad Dilmaghani: “Shumëllojshmëria duhet të jetë qendrimi bazë i shoqërisë sonë”

Farhad Dilmaghani: “Shumëllojshmëria duhet të jetë qendrimi bazë i shoqërisë sonë”

DW: Zoti Dilmaghani, në takimin e nivelit të lartë të integrimit të hënën, ju dhe migrantë të tjerë do t’i paraqisni kancelares një “dokument impulsesh”, në të cilin kërkoni për migrantët “më shumë pjesëmarrje në shoqërinë e vendit ku kanë migruar”. Këtë dokument e kanë nënshkruar shoqata të ndryshme, të cilat përfaqësojnë migrantë me prejardhje të ndryshme. Cili ishte shkasi për këtë dokument?

Farhad Dilmaghani: Ajo që na bashkon ne është bindja, se shumëllojshmëria është qëndrimi bazë i shoqërisë sonë. Kjo bindje është forcuar edhe më shumë muajt e kaluar, sepse klima politike po polarizohet. Ne e shohim Gjermaninë si vendin tonë dhe duam të kontribuojmë për një bashkëjetesë të suksesshme. Ne mendojmë se një demokraci duhet të pasqyrojë shumëllojshmërinë e qytetareve dhe qytetarëve të saj – kjo vlen veçanërisht për institucionet dhe organizatat e shoqërisë sonë.

Në se konsiston për mendimin tuaj vlera ose dobia e kësaj shumëllojshmërie?

Përmes shumëllojshmërisë përfitohen perspektiva krejt të ndryshme. Me to, për sfida krejt të ndryshme mund të gjenden zgjidhje më të mira. Që në vitet ’70 njihet i ashtuquajturi fenomen “Group Think”: kur njerëz me një socializim sociokulturor dhe me përvoja të ngjashme reagojnë së bashku ndaj sfidave, atëherë rreziku është i madh, që këto reagime të jenë nën optimalen. Kësaj i shtohet: kur një grup dominues mendon tepër shumë në një drejtim të caktuar, ndodh përjashtimi i atyre që mendojnë ndryshe. Atëherë ky është potencialisht një humus i mirë për rritjen e mendimit autoritar dhe fashist.

Shumëllojshmëria shoqërore shtron kërkesa të larta ndaj qytetarëve. Çfarë e mban të bashkuar një shoqëri të shumëllojshme?

Ajo që e lidh është dëshira për t’i ruajtur institucionet demokratike. Kësaj i shtohet kërkesa për një demokraci të gjallë dhe sociale. Është ndërgjegjësimi se demokracia nuk ekziston vetvetiu, por se çdo brez duhet të angazhohet nga e para për të – dhe që ajo është për të gjithë ne forma më e mirë qeverisëse. Do të jetë punë e vështirë për brezin tonë, që nuk ka mësuar të luftojë fort.

Organizatat e migrantëve kërkojnë në dokumentin e tyre midis të tjerash që shumëllojshmëria të fiksohet si objektiv i shtetit në kushtetutë. Pse nuk mjafton deklarimi pro shumëllojshmërisë?

Integrimi i objektivave të shtetit në kushtetutë ka pasqyruar gjithmonë zhvillimin e shoqërisë. U deshën të kalojnë rreth 15 vjet, derisa objektivi shtetëror mbrojtje e ambientit u pranua në kushtetutë. Një objektiv shtetëror në kushtetutë konsiderohet si normë kushtetuese – organet shtetërore në këtë mënyrë janë të detyruar që ta ndjekin këtë objektiv shtetëror. Kjo do të thotë në këtë rast: në qendër të veprimit politik të organeve shtetërore vihet një politikë progresive integruese, e cila i pasqyron përfytyrimet e së ashtuquajturës shoqëri e shumicës njësoj si ato të qytetarëve të ardhur më vonë dhe të pasardhësve të tyre.

Farhad Dilmaghani është themelues dhe kryetar i DeutschPlus – një inisiativë për një republikë pluraliste, një rrjet ndërdisiplinor aktivistësh dhe Qendër Kërkimore për Migrimin dhe Integrimin. Më parë ai ka punuar si ekspert në Zyrën Kancelarore për politikat e përgjithshme si dhe për Arsimin dhe Kërkimet.

/dw.com

Shpërndaje në: