Fatale: Vetaksidentohet kamionisti, policia jep detaje
Një person ka vdekur si pasojë e një vetaksidenti të ndodhur në segmentin e autostradës Mazgit–Prishtinë, pasi kamioni që ai po drejtonte është rrokullisur.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Sot, rreth orës 13:00, në segmentin e autostradës Mazgit–Prishtinë, ka ndodhur një vetaksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident është përfshirë një mjet i rëndë, kamion, i cili është rrokullisur. Si pasojë, drejtuesi i kamionit ka humbur jetën, ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor”, ka deklaruar Kelani.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, ekipi mjekësor si dhe njësia e zjarrfikësve, të cilët janë duke u marrë me trajtimin e rastit.
Policia e Kosovës ka apeluar edhe një herë për respektimin e rregullave të trafikut dhe për kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në komunikacion./Periskopi/



