Federata e Sportit Shkollor: Nuk ka rrezik për nxënësit pas tërmetit në Brezovicë

Federata e Sportit Shkollor: Nuk ka rrezik për nxënësit pas tërmetit në Brezovicë

Federata e Sportit Shkollor të Kosovës ka konfirmuar se të gjithë nxënësit pjesëmarrës në programin “Drejt Malit”, i cili po zhvillohet në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore pas lëkundjeve sizmike që ndodhën sonte në rajon.

Në një njoftim për opinionin publik dhe prindërit, Federata thekson se stafi i programit është prezent në çdo moment pranë nxënësve, duke bashkëpunuar ngushtë me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe strukturat përgjegjëse të qendrës së skijimit.

“Janë kryer verifikimet e nevojshme në hapësirat e akomodimit dhe aktivitetit, dhe nuk është evidentuar asnjë rrezik apo incident,” thuhet në njoftim.

Sipas Federatës, situata po monitorohet vazhdimisht, ndërsa janë në koordinim të plotë me institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë maksimale të nxënësve dhe stafit.

Federata gjithashtu ka bërë thirrje për qetësi, duke i siguruar prindërit dhe opinionin publik se siguria dhe mirëqenia e nxënësve mbeten prioritet absolut.

“Çdo informacion i ri do të komunikohet në mënyrë zyrtare”, përfundon njoftimi.

Ky njoftim vjen në një moment kur lëkundjet sizmike kanë krijuar shqetësim në rajon, por falë koordinimit të institucioneve dhe masave të marra në kohë, situata në Brezovicë mbetet nën kontroll./Periskopi/

Shpërndaje në: