Federata tregon arsyen pse në disa bileta është ndryshe orari i ndeshjes Kosovë-Danimarkë
Kombëtarja e Kosovës sot përballet me Danimarkën në një ndeshje të karakterit miqësor, e cila do të luhet në stadiumin Fadil Vokrri me fillim nga ora 19:00
Tashmë është bërë një lloj tradite se sa herë dalin në shtije biletat e ndeshjeve të Kosovës diçka do të shkojë keq, raporton Periskopi.
Fillimisht në ndeshjet e Ligës së Kombeve pati shtyrje para dyqaneve për të siguruar bileta, më pas shitja në tregun e zi.
Federata bëri një ‘zgjidhje’ duke i vendosur më pas biletat në sistem online, i cili zakonisht bllokohej në kohën kur dilnin në shtije bileta, krejt kjo shkaku i interesimit të lartë.
Për dy ndeshjet që tani Kosova do t’i luajë në Prishtinë, së pari me Danimarkën dhe më pas me Bullgarinë biletat u shitën në kohë rekorde, edhe pse kishte ngritje të çmimeve, kjo nuk bëri që tifozët të mos kenë interesim të madh, shkruan Periskopi.
Në disa bileta të ndeshjes Kosovë-Danimarkë orari i ndeshjes është në ora 18:00, por të gjithë ata që posedojnë një biletë të tillë duhet ta kenë parasysh se ndeshja fillon në ora 19:00.
FFK-ja ka bërë të ditur se përballja me Danimarkën kishte për t’u luajtur në ora 18:00, por në fund UEFA ndryshoi orarin e takimit.
“Kjo ndeshje fillimisht ishte paraparë të luhej nga ora 18:00, por për shkaqe teknike me vendim të UEFA-s termini i ndeshjes është zhvendosur në orën 19:00”, thotë FFK përmes një komunikate për media.

“Si rrjedhojë kompania përgjegjëse për shitjen e biletave një numër të biletave i ka shtypur paraprakisht me orën e nisjes së ndeshjes në 18:00, prandaj luten qytetarët që ta kenë parasysh faktin se ndeshja do të nisë në orën 19:00,”. /PERISKOPI/



