Flet avokati i Milaim Zekës: Do të lirohet
Avokati i deputetit të Kosovës nga radhët e NISMA-s, Milaim Zeka, Gazmend Halilaj beson se prokurori do të jetë në gjendje që të marrë një vendim të arsyeshëm sa i përket rastit të klientit të tij.
Halilaj për “Gazetën Blic” ka deklaruar se prokuroria shprehimisht duhet ta marrë një vendim, për të gjet një rrugë e cila do ta urdhëronte Policinë e Kosovës që ta lëshoi menjëherë klientin e tij.
“Unë besoj që prokurori ka me qenë në gjendje me e marrë një vendim të arsyeshëm, ose shprehimisht me e marrë një vendim me e gjete rrugë që ta urdhëroi Policinë e Kosovës ta lëshojë menjëherë një vendim që urdhëron Prokurorinë e Kosovës që me e liru, ose në mënyrë të heshtur të pushoi vendimi, dhe brenda 48 orëve të lirohet.” – ka thënë Halilaj.
Ai ka shtuar se nuk sheh asnjë gjasë reale që prokurori mund të lëshohet në atë çështje e të bëjë ndonjë kërkesë për vazhdimin e kësaj mase, apo cilësdo masë tjetër, për faktin se Zeka është deputet, dhe sipas tij i dihet vendbanimi dhe vendqëndrimi.
“Me sa kam unë informata, rrjedha e suksesshme e procedurës penale, do të thotë të lirohet. Mund të lirohet pa asnjë problem, edhe nëse lirohet në procedurë të rregullt.” – ka shtuar Halilaj.
Deputeti, Milaim Zeka, siç ka bërë të ditur dje Policia e Kosovës, është arrestuar me dyshimin se ai është përfshirë në veprën “mashtrim dhe ikje nga tatimi”.
Arrestimi i tij ka ardhur pak ditë pasi portali ‘Insajderi’ ka publikuar hulumtimin për këtë skandal me viza, në të cilin dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar, duke krijuar një biznes të tillë bashkë me partnerin e tij biznesmen, Ilir Krasniqi.



