Forumi i Gruas i LDK-së mbajti Kuvendin Zgjedhor, sërish kryetare Lirije Kajtazi

Forumi i Gruas i LDK-së mbajti Kuvendin Zgjedhor, sërish kryetare Lirije Kajtazi

Delegatet e pranishme kanë zgjedhur Këshillin e Përgjithshëm si dhe i kanë dhënë besimin për një mandat të ri 4 vjeçar në krye të FG të LDK-së, kryetares së deritashme, Lirije Kajtazi.

Të pranishëm në pjesën hyrëse të Kuvendit ishin kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, akademik Isa Mustafa, si dhe mbi 500 mysafirë nga Kosova, si dhe të ftuar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova Lindore.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksoi rolin historik të Forumit të Gruas të LDK-së për Kosovën dhe për LDK-në gjatë dekadave të saj të ekzistimit.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për qeverisjen aktuale të vendit.

Është një rol i rëndë, në një situatë shumë delikate dhe të ngarkuar me probleme e pakënaqësi. Por është një shans dhe përgjegjësi që t’i ndihmojmë vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkushtimin për të ndjekur rrugët më të mira të bashkëpunimit me qytetarin, me anëtarët e LDK-së dhe me miqtë ndërkombëtar.

Më tutje, ai ka folur për rezultatet sipas tij, të mëdha të koalicionit qeveritar, përkundër kundërshtimeve shpeshherë të dhunshme me të cilat është ballafaquar.

Duke folur për Forumin e Gruas së LDK-së, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke iu referuar edhe fjalëve të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, tha se ky Forum i sjellë më së miri në shprehje vlerat e vërteta të LDK-së, duke theksuar gëzimin që në këtë proces zgjedhor, FG i LDK-së ka tubuar në radhët e saj më shumë vajza e gra sesa kurdoherë tjetër.

“Me ju, Lidhja Demokratike i ka vlerat e saj të vërteta. Me ju në LDK i presim të sigurt fitoret në zgjedhjet lokale në vitin e ardhshëm dhe në zgjedhjet nacionale në vitin 2018. Me gra kryetare të komunave, me më shumë gra në asambletë komunale dhe me më shumë gra deputete dhe qeveritare. Kjo duhet të jetë pasqyrë e përkushtimit tonë për Kosovën demokratike dhe proseperuese”, tha kryetari Mustafa.

Shpërndaje në: