FSK në Gaza, Ambasadorja Ziv: Do të shohim se cili do të jetë mandati i secilit vend dhe si do ta reagojë Hamasi
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv tha se janë të lumtur që Kosova është përfshirë në Bordin e Paqes dhe në misionin paqeruajtjes në Gaza.
“Fillimisht, ne jemi shumë të lumtur që Presidenti Trump e ka përfshirë Kosovën në Bordin e Paqes, në forcën paqeruajtëse. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe mendoj se tregon një besim në aftësitë e Kosovës për të qenë partner në këtë proces në këtë kohë për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme. Sërish, shumëçka varet nga Hamas dhe si do të reagojë Hamasi ndaj vendeve të ndryshme që do të dërgojnë forcat në Rripin e Gazës. Kosova është në mesin e pesë vendeve që do të dërgojë trupat brenda dhe duhet të shohim saktësisht se cili do të jetë mandati i secilit prej këtyre pesë vendeve brenda Rripit të Gazës. Kemi mirëpritur vendimin e Qeverisë që ka treguar vullnetin për këtë mision dhe me shpresë që përfundimisht të krijohet një Lindje e Mesme më e mirë.”, tha ajo, në një intervistë për emisionin “Click” në RTV21, transmeton Periskopi.
Ziv po ashtu u përgjigj rreth pyetjes se sa besojnë se FSK-ja është e aftë për të bërë punë në Rripin e Gazës, duke thënë se varet se si do të reagojë Hamasi,
“Sërish, shumëçka varet nga Hamas. Dhe si do të reagojë Hamasi ndaj forcave të ndryshme që do të hyjnë në Rripin e Gazës. Është shumë herët të thuhet se si do të zhvillohet situata.”, u shpreh Ziv.
Ziv gjithashtu foli edhe për raportet mes Kosovës dhe Izraelit gjashtë vite pas njohjes së Kosovës nga ky shtet, duke thënë se do të punojnë edhe më shumë në thellimin e raporteve pas luftës.
“Ne natyrisht ishim shumë të lumtur që të vendosim marrëdhënie me Kosovën. Që nga vendosja e marrëdhënieve në vitin 2021, ne krijuam hapësira për këtë marrëdhënie, investuam shumë në përpjekje për të arritur marrëveshje të ndryshme të rëndësishme ndërmjet dy vendeve. Në mesin e marrëveshjeve të para ishte ajo e lëvizjes pa viza që mundësoi qytetarëve të Kosovës të vijnë në Izrael, pa viza dhe kjo ishte natyrisht shumë e rëndësishme për tregtinë, marrëdhënien kulturore, marrëdhënien akademike, për turizëm e të tjera. Ne kemi punuar që të krijojmë hapësira të gjera të marrëdhënieve tona në shumë fusha. Kemi punuar me akademinë, me kulturën, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, kemi punuar në turizëm dhe shumë është bërë. Fatkeqësisht, këto dy vite e gjysmë të fundit kanë qenë shumë të vështira për ne dhe ne ishim të absorbuar në gjëra të tjera dhe ishim të detyruar të luftojmë. Por jam e sigurt se edhe përkundër luftës prapë kemi punuar në marrëdhëniet ndërmjet nesh, t’i fuqizojmë ato dhe do të ketë më shumë natyrisht pas luftës kur gjërat të qetësohen.”, tha ajo./Periskopi



