Gashi i PDK-së tregon dy veprime që duhet t’i ndërmarrë KQZ për të shmangur “vjedhjen” e zgjedhjeve

Gashi i PDK-së tregon dy veprime që duhet t’i ndërmarrë KQZ për të shmangur “vjedhjen” e zgjedhjeve

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, ka thënë se ekzistojnë dy masa konkrete që mund ta eliminojnë mundësinë e manipulimit të votave në të ardhmen dhe që do ta rikthenin besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

Ai ka theksuar se vjedhja e votave në mes kandidatëve të partive politike e ka lënduar rëndë procesin zgjedhor dhe ka cenuar integritetin e votës.

“Natyrisht se kjo na ka prekur të gjithëve, sepse procesi është lënduar dhe integriteti i votës është cenuar. Pa dashur ta largoj përgjegjësinë, KQZ në këtë dhjetëvjeçar ka pasur batica dhe zbatica, por është konsideruar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë si institucion kredibil. Procesi është i lënduar dhe nuk them se jemi krejtësisht të pafajshëm, sepse ndoshta nuk kemi paraparë masa më të rrepta, por ky proces kryekëput bie nën përgjegjësinë e partive politike. Nuk është dashur të ketë njerëz me vullnet për manipulimin e votës”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, dy masa konkrete do të ndihmonin në shmangien e manipulimeve në të ardhmen: leximi i fletëvotimit në kohë reale dhe identifikimi elektronik i votuesve.

“Unë kam dalë me dy masa që do të duhej të zbatoheshin, sepse integriteti i votës nuk ka kosto. Identifikimi i votuesve në mënyrë elektronike, për t’i hequr këto ngjyra në thonj, dhe leximi i fletëvotimit në kohë reale. Këto do të duhej të ndodhnin dhe nuk do të duhej të kishte kompromise. Kjo është mënyra e vetme për ta kthyer besueshmërinë”, ka thënë Gashi.

Shpërndaje në: