Gazetari nga Serbia viziton Shqipërinë: Kemi dëgjuar histori shumë të mira për njerëzit tuaj

Periskopi.com Lajme

Teksa gjatë verës njerëzit largohen nga Tirana drejt vendeve bregdetare apo malore për të pushuar, këtë sezon veror kryeqyteti është i mbushur nga turistët.

Ata janë të shumtë dhe vijnë nga të gjithë vendet e botës. Një xhiro në atraksionet kryesore të qytetit dhe kombësitë janë të ndryshme nga Europa deri në Amerikë, Kanada dhe Rusi.

Por, këtë sezon në vendin tonë ka pasur edhe një fluks shumë të lartë nga vendet e Ballkanit si Serbia, Bosnja dhe Rumania.

Turistët nga Serbia zakonisht preferojnë të vijnë me makina individuale. Ne folëm me njërin prej tyre. Me profesion në gazetari, ai kishte vendosur të eksploronte Shqipërinë.

“Erdhëm me makinë nga Serbia, në Kosovë dhe pastaj në Shqipëri. Donim të eksploronim më shumë rajonin dhe Tirana është një nga xhevahiret që donim ta kishim në listën tonë. Shumë më shumë njerëz nga vendi jonë po vijnë në Shqipëri dhe kemi dëgjuar histori shumë të mira  për bregdetet tuaja të, për njerëzit miqësorë dhe për shërbimin. Për mua është fantastike ideja që mund të kalojmë nëpër kufijtë tanë vetëm me një kartë identiteti. Duhet si fqinjë që jemi, t’i njohim më mirë vendet tona.”

Por, edhe turistë të tjerë nga rajoni po vizitojnë vendin. Një grup të rinjsh boshnjakë ishin shkëputur nga qëndrimi në Durrës për të vizituar Tiranën dhe historinë e saj:

“Jemi në ditën tonë të gjashtë në Shqipëri. Deri më tani na ka pëlqyer gjithçka çmimet janë brenda normave, por edhe njerëzit shumë të mirë. Kufizimet e Covid-it gjithashtu janë të pakta. Do largohemi të kënaqur nga Shqipëria.”

Nga statistikat e strukturave akomoduese, Shqipëria këtë sezon është shumë pranë niveleve të vitit normal 2019 sa i përket numrit të vizitorëve. Kufizimet e pakta të Covid-it e kanë kthyer vendin tonë në atraksion kryesor turistik.

Shpërndaje në: