Gjermania për herë të parë emëron një ministre afro-gjermane

Gjermania për herë të parë emëron një ministre afro-gjermane

Aminata Touré është në shumë drejtime një emërim i pazakontë. Mosha e re e 29-vjeçares nuk është e vetmja veçanti e saj. Politikania ekologjiste është ministrja e parë afro-gjermane në Gjermani.

Kjo është ende një pamje e pazakontë në Gjermani. Një afro-gjermane ministre.  29-vjeçarja Aminata Touré e partisë Të Gjelbrit, për katër vitet e ardhshme do të jetë ministre për çështje sociale në landin gjermano-verior, Schleswig-Holstein. Landi me afro 3 milionë banorë po shkruan kështu histori.

“Çfarë nderi. Nga sot jam Ministre për Çështjet Sociale, Rininë, Familjen, të moshuarit, Integrimin dhe Barazinë në Schleswig-Holstein. Jam e lumtur që jam pjesë e Kabinetit II të Daniel Günther. Do ta kryej detyrën me ndërgjegje dhe me gëzim”, shkroi Toure në Twitter.

Që Touré në këtë post nuk do ta ketë të lehtë, kjo merret me mend. Në media sociale filluan që tani skeptikët të kërkonin jetëshkrimin e saj dhe të ankoheshin që ajo, përveç një diplome bachelor në shkenca politike, nuk mund të dëshmonte asnjë përvojë tjetër profesionale.

Por Toure nuk është kaq e panjohur. Ajo ka katër vjet që është në parlamentin e landit dhe ka drejtuar edhe shumë seanca si nënkryetare e Parlamentit.

Kolë Gjoka, konsulli i nderit i Shqipërisë për Gjermaninë veriore, por edhe vetë aktivist në politikë, aktualisht kryetar i CDU-së në qytetin Elmshorn, në të njëjjtin land, thotë për DW:  “Asaj nuk i është besuar posti për shkak të ngjyrës së lëkurës, por sepse është intelektuale dhe dallon nga shumica e anëtarëve të partisë së vet”.

Rritur në azil

E megjithatë, ngjyra e lëkurës, por jo vetëm, edhe përvoja e saj si bijë azilkërkuesish, kanë qenë elemente të rëndësishme në formimin e saj si njeri, por edhe si politikane. E lindur në vitin 1992 në Neumünster të Gjermanisë, ajo është rritur në një strehimore azilkërkuesish. Prindërit kishin ardhur në Gjermani nga Mali vetëm një vit më parë dhe luftonin për të drejtën e qëndrimit. Vetëm në moshën 12-vjeaçre ajo arriti të marrë shtetësinë gjermane. Pikërisht atë vit, i jati do të linte nënën me katër vajzat.

Fillon një fazë tejet e vështirë për nënën, që do të kujdesej e vetme për katër vajzat. “Unë i takoj një brezi njerëzisht që nuk kanë qenë të mirëseardhur. Për një kohë të gjatë nuk janë pranuar si pjesë të kësaj shoqërie. Por ne kemi bërë tonën, dhe ka gjëra në këtë shoqëri që ne i kritikojmë, por kemi edhe sugjerime se si t’i ndryshojmë”, tha jo dikur në një intervistë me DW.

Për shanse të barabarta

Touré ka tani mundësinë të ndryshojë vërtet diçka. Në një intervistë dhënë për median gjermane pas betimit, ajo tha se është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka: “Biografia nuk zëvendëson politikën. Është e rëndësishme që të përballesh me njerëzit që kanë këto sfida dhe të zhvillosh koncepte politike. Kombinimi i të gjithave bën politikën”.

Kolë Gjoka ka besim se Touré do të sjellë koncepte të reja dhe jo konvencionale në qeverinë e landit. Për një gjë ai është i sigurt: Ajo do të ketë mbështetje të plotë nga kryeministri demokristian, Daniel Guenther, i cili i përket CDU-së, anipse partia e tij ka nivelin më të ulët përsa i përket përfaqësimit të imigrantëve në politikë. /DW/

Shpërndaje në: