Gjykata i jep të drejtë KPK`së, refuzon kërkesën e Besim Kelmendit për masë sigurie

Gjykata i jep të drejtë KPK`së, refuzon kërkesën e Besim Kelmendit për masë sigurie

gron Qalaj do të ushtrojë kompetencat e plota të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë si të pabazuar kërkesën e Besim Kelmendit për masë sigurie ndaj vendimit për emërimin e tij.

Gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën e ish u.d. kryeprokurorit për pezullimin e zbatimit të vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e tij dhe emërimin e Qalajt si zëvendësues të tij.

Aktvendimi është nxjerrë të premten nga një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton Paparaci, transmeton Periskopi.

Sipas aktvendimit të marrë në Departamentin Administrativ të Gjykatës, ankesa e Besim Kelmendit për vendosje të masës së sigurisë është refuzuar si e pabazuar.

Gjykata e ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të miratuar në një mbledhje të 20 nëntorit, për shkarkimin e Kelmendit nga pozita e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës e shkarkoi Kelmendin për shkak të së kaluarës së tij në sistemin e drejtësisë së ish-regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitet 90’.

Sipas padisë së ushtruar nga Kelmendi, Këshilli Prokurorial nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimit.

Shkarkimi i Besim Kelmendit nisi një seri përplasjesh brenda dy taboreve brenda Këshillit Prokurorial. Dy palët janë ndarë mes atyre pro dhe kundër shkarkimit të Kelmendit nga pozita e u.d. kryeprokurorit.

Ndarja në taborre brenda KPK-së u theksua edhe në dy mbledhje të radhës, pas 20 nëntorit, në të cilat u shqyrtua raporti i Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e anëtares së re të KPK-së.

Pas këtyre zhvillimeve, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kërkoi takim urgjent me anëtarët e Këshillit Prokurorial për t’i diskutuar çështjet e ditëve të fundit. Takimi u mbajt të enjten.

Shpërndaje në: