Gjykimi për mashtrim e korrupsion, dëshmitari thotë se ai nuk e kishte nënshkruar kontratën

Gjykimi për mashtrim e korrupsion, dëshmitari thotë se ai nuk e kishte nënshkruar kontratën

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku Arben Berisha, Nerimane Kelani-Sherifi dhe Ramadan Hasani po akuzohen për tjetërsim të një prone në Obiliq, dëshmitari-noteri Nysret Ahmeti ka thënë se ai nuk kishte nënshkruar kontratën.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi ka njoftuar se në këtë seancë mungon i dëmtuari-dëshmitari Musa Gashi për të cilin tha se gjykata kishte lëshuar urdhër për sjellje me shoqërim por që deri më tani policia nuk e kanë sjellë të njëjtin dhe nuk e kanë arsyetuar mos-sjelljen e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, gjykatësi Foniqi bëri të ditur se gjykimi fillon rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, ashtu që me pajtimin e palëve të gjitha veprimet u konsideruar të lexuara.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit-noterit Nysret Ahmeti i cili ka sqaruar se të akuzuarin Ramadan Hasani e ka parë dy ose tri herë si klient i cili tha se kishte sjellë dokumente për shitjen e një paluajtshmëritë të zonës kadastrale të Obiliqit.

“Ramadan Hasani ka ardhë dhe i ka dorëzu dokumentet për përpilim të kontratës së shitblerjes në cilësinë e shitësit, kjo kontratë nuk është lidhur, emri i blerësit nuk më kujtohet”, ka thënë dëshmitari Ahmeti.

Ai tha meqenëse noterët kanë qasje në informatat për paluajtshmëritë për kadastrin qendror, kishte bërë verifikim në formën tjetër të certifikatës, përkatësisht në certifikatën për njësinë kadastrale, në të cilën tha se figurojnë edhe të dhënat për mënyrën e fitimit të pronës.

Sipas tij, kur në certifikatën për person nuk kishte figuruar kjo informatë, në atë moment e kishte kuptuar që diçka nuk është në rregull me atë pronë.

Ai tha se aty ishte shkruar se shitësi potencial Ramadan Hasani e kishte fituar të drejtën për pronë sipas kontratës që e kishte lidhur më herët.

“Nuk e di kohën por këtë mund ta gjeni në kadastrin qendror se gjoja shkruan se ky e ka fituar me kontratën e lidhur te noteri Nysret Ahmeti, figuron edhe data e lidhjes së kontratës dhe numri i saj, të cilët nuk përputhen me numrat e regjistrave të mij, pasi nuk është bërë bile at vit nuk e kam mrri as numrin e referencës as numrin rendor që figuron në parakontratë, përkatësisht për Obiliq e kam mbyllur vitin shumë më të vegjël”, tha dëshmitari Ahmeti.

Dëshmitari Ahmeti tha se të akuzuarin Hasani e kishte njoftuar për informatën që kishte marrë në kadastrin qendror dhe që në regjistrat e tij nuk figuronte as emri i tij në asnjë punë.

“E pastaj unë i kam thënë që nuk mund të bëhet kontrata e shitblerjes pa u sqaruar kjo situatë”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari Ahmeti ka mohuar ta ketë nënshkruar atë kontratë.

Kurse, pas ballafaqimit me një parakontratë nga mbrojtësi i të akuzuarës Nerimane Kelani-Sherifi, avokati Arbër Jupolli, dëshmitari Ahmeti ka thënë se “ai që ka nënshkruar as që qenka lodhur për ta përngjarë nënshkrimin tim”, duka ia paraqitur trupit gjykues nënshkrimin e tij përmes letërnjoftimit.

Po ashtu, dëshmitari Ahmeti ka mohuar ta ketë përdorur dikush tjetër vulën e tij, përjashtimisht për akte më të vogla që nuk kanë pasur nevojë për verifikim.

Lidhur me këtë çështje, ai tha se kishte kërkuar në hetuesi që të hapet procedurë e veçantë që të konstatohet nëse ajo kontratë apo parakontratë është vulosur apo është skanuar vula.

Ai tha se kur kishte marrë në shikim këtë kontratë të cilin tha se ia kishin sjell dy zyrtarë të Komunës së Obiliqit, më kopjen e cila sipas tij ishte e ngjashme me origjinalin pasi origjinali gjithmonë mbetet tek noteri, kishte vërejtur se ai nuk është akt i tij.

“Edhe si format si radhiten dispozitat nuk ka qenë forma që përdori unë, po ashtu kam pas edhe vërejtje tjera që kanë të bëjnë me atë se nuk është forma që përdori unë, e aq më tepër edhe nënshkrimi i cili nuk i ngjan nënshkrimit tim”, ka thënë dëshmitari Ahmeti.

Ndryshe, lidhur me këtë rast të akuzuarit Berisha,Kelani-Sherifi dhe Hasani ishin deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa, më 21 shtator 2023 është mbajtur seanca fillestare ndaj të njëjtëve pavarësisht se udhëheqësja e sektorit të Pronës në Obiliq, Nerimane Kelani-Sherifi nuk ka pasur avokat mbrojtës, përkundër se Kodi i Procedurës Penale thekson se e pandehura detyrimisht duhet të ketë avokat në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 mars 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë, po akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar, Nerimane Kelani-Sherifi- Udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit, dhe Arben Berisha-Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar.

Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit Kelani-Sherifi me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që më datë 18.03.2022, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me numër V-315, për bartjen e pronës, në Milloshevë, Komuna Obiliq, në sipërfaqe prej 11,034 m2, për bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në “Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë LRP nr.1276/2022”, në kundërshtim me Ligjin 04/L-009 neni 4, për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme.

Ndër të tjera në aktakuzë thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin Aktvendim me numër V-315 e ka nënshkruar edhe i akuzuari Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e akuzuara Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve te të ndjerit Xh.R.

Me këtë, të akuzuarit Kelani-Sherifi dhe Berisha në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

Ndërkaq, në dipozitivin e dytë të akuzuarit Ramadan Hasani po akuzohet se me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin Musa Gashin, të cilin e ka mashtruar duke e nxitur të veprojë në dëm material te pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, në fshatin Polac, Komuna Skenderaj, në pompën e derivateve “Kabashi Petroll” in ka shitur tokën, në vendin e quajtur “Shishkoviqa Logor” në sipërfaqe te përgjithshme 11, 034 m2, Zona Kadastrale Millosheve, Komuna Obiliq.

Siç thuhet në aktakuzë i dëmtuari Gashi për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2 mijë euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3 mijë 250 euro, kurse marrëveshje ka qenë të paguhen 18 mijë euro, e ka fshehur faktin se “Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë, është i falsifikuar, me ç’ rast blerësi, tani i dëmtuari Gashi ishte vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.

Me këtë, i akuzuari Hasni po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi nga neni 323 par. 1 te Kodit Penal të Kosovës, vepër kjo dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.

 

Shpërndaje në: