Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt drejt fundit – epilogu pritet në dhjetor
Sot janë bërë dy vjet nga vrasja e Liridona Ademajt në një fshat të Prishtinës. Ajo u vra më 29 nëntor të vitit 2023, derisa bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshortin Naim Murseli po ktheheshin në shtëpi, pasi kishin ngrënë darkë në një restorant. Për këtë rast është akoma duke u zhvilluar gjykimi, ku në mesin të akuzuarve për vrasjen është edhe vet Murseli.
Në përvjetorin e dytë të vrasjes, familja e Liridona Ademajt është në pritje të drejtësisë.Kanë kaluar dy vjet qëkur Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Për vrasjen e saj po gjykohet bashkëshorti Naim Murseli, i cili akuzohet se e ka planifikuar vrasjen e saj me qëllim hakmarrjeje e përfitim financiar, konkretisht, nga një sigurim jetësor në Suedi që arrinte vlerën rreth 260 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet të ketë planifikuar vrasjen me Kushtrim Kokallën, i akuzuar se ka njoftuar Murselin me dorasin Granit Plava, duke iu premtuar të dyve 30 mijë euro.
E ky përvjetor i dytë i vrasjes së Ademajt e gjen familjen e saj ende duke pritur drejtësinë.
“Këto 2 vite nuk kanë qenë të lehta për ne si familje. Nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin që ti nuk je më në mesin tonë. Na ka marrë malli shumë për praninë tënde; asgjë nuk është më e njëjtë. Vitet po ecin shpejt dhe ne ende po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty, motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Leonard Ademaj – vëllai i Liridona Ademajt.
Rasti në gjykatë monitorohet në vazhdimësi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, nga i cili thonë se rasti mund të marrë epilog në dhjetor.
“Kemi disa seanca gjatë dhjetorit dhe normalisht, sipas planit, mund të kemi edhe epilogun e rastit por gjithmonë duke pasur parasysh, gjithmonë prej mbrojtjes së të akuzuarve se a do deklarohen apo mbrohen në heshtje. Mund të kemi edhe datën më të saktë të përfundimit të gjykimit në këtë rast. Pa përfundu kjo fazë, nuk mund ta dimë saktë epilogun dhe kohën kur përfundon”, ka thënë Flamur Kabashi – hulumtues në IKD për Tv Dukagjini, transmeton Periskopi.
Sipas Kabashit, ka një element konkret që e ka karakterizuar rastin.



