Gjysmë viti nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, Kosova ende pa institucione të reja
Sot janë bërë gjashtë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë. Gjysmë viti nga 9 shkurti Kosova nuk ka kuvend të konstituar, e rrjedhimisht as qeveri të re. Vendi ndodhet në një krizë të thellë institucionale.
Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit, e më 15 prill filluan përpjekjet për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit. Deputetët e betuar u mblodhën plot 54 herë, e secila nga to do të çonte në një përpjekje të re, por të dështuar për konstituimin e organit ligjvënës.
Lëvizja Vetëvendosje, megjithëse partia fituese me 48 ulëse, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Partitë e tjera parlamentare kanë refuzuar të votojnë kandidaten e VV-së, Albulena Haxhiun.
Vetëvendosje ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, duke argumentuar se ajo mund të zgjidhet përmes votimit të fshehtë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Partitë parlamentare nuk arritën të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligoi që kjo të bëhet brenda 30 ditësh. Afati përfundoi më 26 korrik. Pas kësaj date hyri në fuqi masa e përkohshme që obligonte deputetët të mos marrin asnjë hap drejt konsitituimit të Kuvendit, derisa Kushtetuesja të dilte me një vendim të ri. Ditën e djeshme, Kushtetuesja foli.
Kjo gjykatë ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur, dhe brenda 30 ditëve.
Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në tri herë. Gjykata Kushtetuese po ashtu ka urdhëruar deputetët që të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të marrin pjesë në votim.
Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Aktualisht është në fuqi masa e përkohshme për Kuvendin derisa të publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses./Periskopi/



