Goddard tregon si mori rrugën për në Drenicë ku takoi e fotografoi Adem Jasharin, një muaj para vrasjes së tij
Në emisionin KallxoPërnime po transmetohet intervista me Wade Goddard, fotografin e luftës në Kosovë, i cili punoi në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Ai rrëfen ardhjen e tij në këtë vend për herë të parë, me ç’rast takoi Adem Jasharin dhe ia realizoi një fotografi.
Para se të shkonin tek një ‘burrë me mjekërr’, siç thoshte ai, iu kontrolluan çantat e fotografive për t’u siguruar se mos kishte ndonjë armë.
“Një veturë u ndal para nesh dhe nga drunjtë anash rrugës u shfaqën guerilë të uniformuar dhe të maskuar, të armatosur me kallashnikovë”- u shpreh fotografi.
Goddard tha se Adem Jashari gjatë bisedës pretendonte se ishte Hamza, teksa shpjegonte atmosferën e këtij takimi i cili ndodhi një muaj para se të vritej Adem Jashari.
“Më kujtohet kur më pas fola me Krisin dhe diskutuam se ata dukeshin pak më të organizuar se që mendonim. Në fund të intervistës, i kërkova një foto, dhe ai tha me vendosmëri: “Nuk ka mundësi”. Me të vërtetë iu përgjërova për foto. Më duhej diçka. Na duhej një fotografi që ta shoqëronte lajmin”- përfundoi ai./Periskopi



