Gratë po “digjen” nga mbingarkesa: Ja pse truri i tyre lodhet më shpejt se ai i burrave
Pse gratë kanë më shumë barrë mendore në epokën e njoftimeve të pafund?
Mbingarkesa nga rrjedha e pandërprerë e informacionit dhe ndërveprimeve digjitale është një fenomen që prek dukshëm më shumë gratë sesa burrat
Gjashtëdhjetë e katër sekonda. Kaq pak i duhet trurit tonë që të rikthejë përqendrimin sa herë që marrim një njoftim në telefon. Sipas ekspertëve, këta mikro-ndërprerje të vogla “hanë” një sasi të pabesueshme kohe, mesatarisht gjysmën e ditës së punës në javë. Jemi të mbingarkuar me informacion, të bombarduar nga mesazhe dhe nën presionin e vazhdueshëm për t’u përgjigjur menjëherë, qoftë email-e, porosi apo njoftime.
Kjo mbingarkesë digjitale, ku jemi të zhytur në një rrjedhë pafund klikimesh, vendimesh të menjëhershme, kontrollesh, përditësimesh dhe përgjigjesh “sa më shpejt”, godet më shumë gratë sesa burrat.
Ngarkesa digjitale që rëndon më shumë mbi gratë
Studimet tregojnë se brenda familjes, gratë ende mbajnë barrën më të madhe të detyrave që përfshijnë aktivitete online: që nga grupet e prindërve në WhatsApp, koordinimi i agjendave të fëmijëve, kërkimet online për aktivitete shkollore, deri te menaxhimi i orareve, udhëtimeve dhe shpenzimeve familjare.
Edhe pse burrat po marrin pjesë më shumë në prindërim, shoqëria vazhdon t’i shohë gratë si organizatoret kryesore. Kjo krijon një barrë të dyfishtë mendore: një kombinim i punës kognitive (planifikim, kujtesë, koordinim) dhe asaj emocionale (kujdesi, përgjegjësia, disponueshmëria e vazhdueshme).
Ajo që shpesh injorohet është se teknologjia e amplifikon këtë ngarkesë. Gratë përdorin mjetet digjitale gjatë ditës së punës, por edhe pas saj. Prej tyre pritet të menaxhojnë më shumë punë shtëpie, më shumë praninë në prindërim dhe paralelisht të jenë të arritshme profesionalisht, transmeton Telegrafi.
Sipas hulumtimeve të fundit nga “Pew Research Center” dhe “Harvard Business Review”, kjo mbingarkesë e shtuar shkakton:
lodhje mendore më të madhe
ndjeshmëri më të lartë ndaj stresit
vështirësi në shkëputjen digjitale
ndjenjë faji kur nuk përgjigjen menjëherë
rritje të ndjesisë së presionit shoqëror për “perfect balance”
Prandaj, mbingarkesa digjitale nuk është vetëm çështje teknologjike, por edhe çështje gjinore.
Si të ndahet barabartë ngarkesa digjitale?
Nuk mjafton thjesht ndarja e detyrave të dukshme. Edhe pjesa e padukshme e punës – ajo digjitale, duhet të ndahet qartë:
ndarja e detyrave online për fëmijët
koordinimi i email-eve të shkollës
organizimi i aktiviteteve jashtëshkollore
ndjekja e njoftimeve në WhatsApp
kërkimet online (mjek, kurse, udhëtime)
planifikimet elektronike të familjes
Këto janë detyra që kërkojnë kohë, kujtesë, përqendrim dhe përgjegjësi, prandaj duhet të shpërndahen njësoj si çdo punë tjetër në familje.
Ekspertët e barazisë gjinore sugjerojnë “ndarjen e ngarkesës së padukshme”, ku secili anëtar i familjes merr përsipër një pjesë të punës digjitale, në mënyrë që gratë të mos mbeten të vetmet që mbajnë gjithë “rrjetën e informacionit”./Periskopi/



