Gratë viktima të dhunës: Policia raportoi për sulm fizik në Bjeshkë e tentim vrasje në Fushë Kosovë

Gratë viktima të dhunës: Policia raportoi për sulm fizik në Bjeshkë e tentim vrasje në Fushë Kosovë

Policia e Kosovës ka raportuar për tre raste të dhunës që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

Në këto raste gratë janë viktima të dhunës dhe përfshijnë dhunë në familje, lëndime trupore dhe tentativë vrasjeje.

Rastet janë të gjitha nën hetime, shkruan Klankosova.tv

Në Fushë Kosovë, një grua ka pësuar lëndime të rënda nga sulmi me thikë nga i fejuari i saj. Pas ndihmës mjekësore, ajo është dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm dhe operim.

I dyshuari është arrestuar dhe një thikë është konfiskuar nga vendi i ngjarjes

“Fushë Kosovë / 29.11.2025-07:45. Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë takuar viktimën f/k, e cila dyshohet se kishte pësuar lëndime me mjete të mprehta. Viktima pas tretmanit fillestar mjekësor në QKMF, është dërguar në QKUK dhe i është nënshtruar operimit për shkak të gjendjes kritike të saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari m/k-i fejuari i saj me të cilin ishte duke bashkëjetuar, nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në rast. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një mjet të mprehtë-thikë, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.

E në Deçan, një burrë kishte sulmuar fizikisht partneren e tij pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore.

“Bjeshka e Madhe  Deçanit/29.11.2025-23:30. Është arrestuar i dyshuari m/k nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje  e  ka sulmuar fizikisht viktimën f/k me të cilën ishte në një lidhje. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Derisa, në Istog një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje verbale. Pas intervistimit të palëve, i dyshuari është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa viktima është dërguar në një shtëpi të sigurt

“Istog/ 28.11.2025-20:40. Me 29.11.2025 është raportuar se viktima f/k, pas një mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari m/k. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar.(Viktima është dërguar në shtëpinë e sigurt),  rasti në procedurë hetimore”, njoftoi PK./Periskopi/

Shpërndaje në: