Gucati në Periskopi: VV e ka UÇK-në në majë të gjuhës, por jo në zemër – Rubin e ktheu procesin në binarë
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka folur për protestën në Hagë që u organizua në mbrojtje të ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, protesta ishte madhështore dhe një mesazh se luftëtarët nuk janë vetëm, por kanë përkrahjen e gjithë popullit.
Gucati ka komentuar edhe dëshminë e ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë. Ai e ka konsideruar si kthim në binarë të procesit të gjykimit.
Gucati e vlerësoi Rubinin si vëlla dhe njeri që iu gjend Kosovës në ditët më të vështira.
“Çdo gjë që ka thënë James Rubin është e vërtetë. Ai e ka treguar vetëm të vërtetën dhe për këtë ne si organizatë e kemi falënderuar. Na ktheu prapa për 26 vite dhe tregoi se pa luftën e UÇK-së ky vend nuk do të ishte i lirë, duke iu falënderuar edhe aleatëve tanë që na kanë ndihmuar. James Rubin tregoi kush ka qenë Hashim Thaçi në Rambuje”, ka thënë Gucati.
Ai ka folur edhe për deklaratën e ministrit në detyrë të Financave nga Vetëvendosje, Hekuran Murati, që e quajti Gjykatën Speciale të padrejtë.
Gucati tha se Vetëvendosje e ka në majë të gjuhës UÇK-në, por nuk e ka në zemër, sepse sipas tij, janë të njëjtit që i kanë thënë ish-presidentit Hashim Thaçi “shko në Hagë”.
Gucati tha se Murati po tenton ta pastrojë veten nga ajo që më herët kishte thënë, se “më lirë do t’i kushtonin Kosovës mercenarët”.
“Hekuran Murati po mundohet ta pastrojë veten, unë kështu po mendoj. Ai para disa viteve ka thënë se më mirë do të ishte të paguanim mercenarë sesa sot t’i paguanim veteranët e UÇK-së, që po marrin pensione që na takojnë, sepse janë fituar me djersë e gjak. Ne e dimë sa kanë ata dëshirë të lirohet Hashim Thaçi, ne e dimë sa kanë ata dëshirë të mos ekzistojë Gjykata Speciale. Ata thonë se nuk e kanë votuar Gjykatën Speciale”./Periskopi/
Gucati: Vetëvendosje e ka UÇK-në në majë të gjuhës, por jo në zemër



