Gucati: Protesta në Hagë tregoi se luftëtarët e UÇK-së nuk janë vetëm
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka folur për protestën në Hagë që u organizua në mbrojtje të ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gucati ka thënë se ish-drejtuesit e luftës e kanë përcjellë live protestën përmes televizorit dhe për këtë ka marrë konfirmim.
Sipas tij, protesta ishte madhështore dhe një mesazh se luftëtarët nuk janë vetëm, por kanë përkrahjen e gjithë popullit.
“Ata neve nuk kanë mundur të na dëgjojnë, sepse ka qenë pak larg, por përmes televizionit, sepse ka qenë live. Më kanë thirrë në mbrëmje në telefon, më treguan se e kanë parë live dhe i kanë dëgjuar të gjitha brohoritjet. Mesazhi më i madh për ndërkombëtarët është masa e madhe, si në Prishtinë, ashtu edhe në Hagë, që doli. Policia na falënderoi për mbarëvajtjen. Mbi 11 mijë persona kanë qenë atë ditë në protestë dhe mesazhi ynë ka qenë masa, sepse kemi treguar se baca Jakup dhe Hashimi nuk kanë qenë vetëm, nuk janë jetimë”, tha Gucati.
Gucati ka qenë kritik ndaj Qeverisë së Kosovës që nuk e tha asnjë fjalë për dëshminë e James Rubinit në Hagë, i cili doli në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Nuk befasohem me këtë Qeveri asgjë më. Më vjen keq që së paku nuk dalin me dy fjalë: Faleminderit Amerikë, faleminderit James Rubin. Këta as këtë nuk e bënë. Sepse atje nuk po gjykohet baca Jakup, as Hashimi, as Cali, as Rexha, as Kadria, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këta janë njerëz që iu kanë thënë ‘shkoni në burg’, nuk kanë brumë më të mirë, as Kurti, as ministrja e Drejtësisë. Tek këta nuk pres asgjë më të mirë”, ka thënë Gucati./Periskopi/



