Hajni i votave që s’i ndahet Pecit: Nga këshilltar politik në Ministrinë e Bujqësisë, fiton postin e nënkryetarit të Mitrovicës
“Personi në fjalë nuk do të jetë pjesë e kabinetit prej muajit të ardhshëm…” – kështu deklaronte në shkurt të vitit 2022, atëkohë ministër i Bujqësisë, Faton Peci, për Enis Osmanin – këshilltar politik i tij – kur mori vesh se ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë për falsifikim të rezultateve të votimit, shkruan Periskopi.
Nga këshilltar politik i shkarkuar në vitin 2022, Peci e rikthen të njëjtin në një pozitë shumë më të lartë – kur tani e gëzon postin e kryetarit të Mitrovicës – e bën atë nënkryetar të Komunës.
Vendimi për emërimin e Osmanit është marrë në kuadër të marrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës lokal, ku subjekti politik Guxo ka propozuar kandidatin e tij për këtë post.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar sekretaren e saj, Aida Doli, për pozitën e nënkryetares së komunës, mirëpo pas konsultimeve të brendshme dhe marrëveshjeve politike, posti i është besuar Enis Osmanit.
Osmani konsiderohet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Pecit, ku edhe vet ai është shprehur mirënjohës ndaj mikut të tij, duke shkruar “shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci”.
“Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit. Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci, për besimin e dhënë dhe për mundësinë që të punojmë së bashku për realizimin e projekteve zhvillimore për Mitrovicën. Vazhdojmë kështu rrugëtimin e përbashkët, në një bashkëpunim të ndërsjellë, të ndërtuar me korrektësi dhe sinqeritet, për më shumë se një dekadë. Jam i bindur se vizioni, përvoja dhe lidershipi i tij janë një garancë e fortë për zhvillimin e madh të qytetit tonë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social “Facebook”.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 7 shkurt 2022 kishte ngritur aktakuzë kundër Enis Osmanit, me arsyetimin se më 11 qershor 2017, rreth orës 19:00, në fshatin Bare – Mitrovicë, saktësisht në shkollën fillore “Xhevat Jusufi”, i pandehuri Enis Osmani në vendvotimin me numër 1115B/02D për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në cilësinë e kryesuesit të këtij vendvotimi, duke keqpërdor pozitën, detyrën apo autorizimet e tij lidhur me zgjedhjet, ka shtuar dhe hequr votat kandidatëve brenda subjekteve politike.
Sipas aktakuzës, gjatë numërimit të tyre, duke i hequr votat disa kandidatëve dhe duke ua shtuar votat disa kandidatëve të tjerë, i regjistron në mënyrë të pasaktë gjithsej 246 vota, 228 prej tyre si vota të shtuara dhe 18 prej tyre si vota te hequra, prej tyre të shtuara 56 për PDK, 112 për LDK dhe 60 për LVV dhe të hequra 8 për PDK dhe 10 për LDK.
Me ketë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” nga neni 219, par.2 të KPRK-së.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Osmani, ishte shpallu në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, nga gjyqtari Rrahman Beqiri.
Fillimisht, i akuzuari Osmani u dënua me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e tij dhe mbrojtësit të tij, avokatit Sabit Pllana, dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro, në pajtim me nenin 44 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Osmani detyrohej që të paguajë shpenzimet e procedurës, 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit.
Ndërsa, dënimin me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro, i akuzuari obligohej ta paguajë në afat prej 3 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
“Nëse i njëjti nuk e paguan gjobën, atëherë gjykata në kuptim të nenit 43 dënimin me gjobë do të ia zëvendësojë me dënim me burg, ku çdo ditë e dënimit me burgim do t’i llogaritet me shumën 20 euro”, deklaronte gjyqtari Beqiri. /PERISKOPI/



