Hallet e Valverde në Barcelonë
Menjëherë pas zyrtarizimit të Ernesto Valverde në krye të stolit të Barcelonës, e përditshmja spanjolle “Marca” ka bërë një analizë rreth problemeve me të cilat mund të përballet tekniku i ri i katalanasve.
Sipas “Marca”, janë shtatë gjëra të cilat duhet t’i ndryshojë trajneri spanjoll, i cili do ta drejtojë ekipin blaugrana në tre sezonet në vijim.
Ta rikthejë Barcelonën në krye të futbollit botëror. Barcelona kohëve të fundit ka humbur vendin e parë në renditjen e UEFA-s dhe FIFA-s, pavarësisht se është në mesin e më të mirave
Të vazhdojë me Iniestan. Mesfushori katalanas ende nuk ka vendosur rreth kontratës së re, por Valverde do të tentojë ta bindë Iniestan se ai është një lojtar i rëndësishëm në ekipin e tij.
Të zvogëlojë rëndësinë e MSN. Kur treshja e Barcelonës është në formë, ata fitojnë pa problem, por kur kjo treshe ka probleme, atëherë Barcelona vuan shumë dhe kjo i ka kushtuar këtë edicion.
T’i besojë akademisë. Barcelona kohëve të fundit shumë pak i ka besuar lojtarëve që kanë dalë nga akademia, pasi më shumë janë mbështetur në blerjet e mëdha
Të menaxhojë Messin. Argjentinasi shumë shpejt do të mbushë 30 vjeç dhe Valverdes i duhet të ketë kujdes me të dhe të reduktojë minutazhin e tij.
Të ofrojë një fytyrë miqësore. Barcelona ka vuajtur shumë me trajnerin Luis Enrique, i cili nuk ishte aspak miqësor me mediat, madje shpesh kishte krijuar edhe skandale.
Të përmirësojë mbrojtjen. Një nga problemet më të mëdha të kësaj Barcelone është mbrojtja. Këtë e tregon edhe fakti se gjatë këtij edicioni pësoi katër gola ndaj PSG dhe tre gola ndaj Juventusit.



