Hamza: Marsi i vitit 1998 nuk është vetëm një betejë, por mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së, fjalimin e tij e nisi duke e përshëndetur Rifat Jasharin dhe familjen Jashari.
Ai përshëndeti edhe presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, deputetët dhe mysafirët.
Në fjalën e tij, Hamza tha se tri ditët e fillim-marsit të vitit 1998 nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë, por janë mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë.
“Kanë kaluar 28 vjet nga ato 3 ditë të marsit që ndryshuan përgjithmonë fatin e Kosovës. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, një familje shqiptare vendosi të qëndrojë në pragun e shtëpisë së vet përballë një ushtrie të tërë pushtuese. Por ato tri ditë nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë sonë, por janë mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë, sepse ka momente kur historia nuk shkruhet nga numrat, nga fuqia ushtarake apo nga kalkulimet politike. Historia shkruhet nga vendimet morale të njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen. Dhe në ato tri ditë të marsit në Prekat, historia e Kosovës mori pikërisht këtë formë: Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, ai u bë altar i lirisë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i ndërgjegjes dhe qëndresës së një populli të tërë”, tha Hamza në fjalën e tij.
Ai kërkoi që ngjarjet e asaj kohe duhet kujtuar gjithmonë në tërësinë e saj./Periskopi



