Haradinaj nis dëshminë në rastin e “53-milionëshit”

Haradinaj nis dëshminë në rastin e “53-milionëshit”

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “53 milionëshi”, ka filluar dëshminë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj po dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Haradinaj, është dëshmitar i propozuar nga mbrojtja.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më  9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri,  drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: