Haxhiu s’pajtohet me qëndrimin e Avokatit të Popullit për moscertifikimin e Listës Serbe: Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë
Ish-deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu i ka reaguar institucionit të Avokatit të Popullit, pasi ky i fundit vlerësoi se moscertifikimi i Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje u mor pa bazë juridike e në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj, shkruan Periskopi.
Haxhiu përmes një reagimi në Facebook është ankuar ndaj Avokatit të Popullit duke thënë se ky institucion “duhet ta përfaqësoj më drejtë emrin që mban”.
“Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë”, ka shkruar Haxhiu ndër të tjerash.
Ajo ka theksuar se vendimi i KQZ-së nuk është kundër subjekteve serbe pasi që ka certifikuar disa të tilla, dhe se arsyet e moscertifikimit të LS-së “janë të njohura dhe të justifikuara”.
Postimi:
Avokati i Popullit duhet ta përfaqësoj më drejtë emrin që mban. Kësaj radhe ky institucion paska reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe. Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë.
Si është e mundur që për një subjekt si Lista serbe që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe jo vetëm që nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty, IAP shprehet i shqetësuar me kaq lehtësi?
Edhe më e rëndë bëhet gjendja kur marrim parasysh se Avokati i Populli nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për tendencat e vazhdueshme dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë.
IAP nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Vendimi i KQZ nuk është kundër subjekteve serbe dhe as qytetarëve serb sepse tashmë KQZ ka certifkuar disa subjekte serbe. Arsyet për moscertifikimin e LS tashmë janë të njohura dhe të justifikuara.
Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që IAP duhet t’i mbrojë.
Avokati i Popullit kundërshton vendimin e KQZ’së për Listën Serbe: Pa bazë të qëndrueshme juridike



