Haziri: LDK-ja do të rikthehet fuqishëm, Vetëvendosja ka shumicë për Qeveri, por jo për president

Haziri: LDK-ja do të rikthehet fuqishëm, Vetëvendosja ka shumicë për Qeveri, por jo për president

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, në emisionin “Reel Talk me Maxhunin”, i cili transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë ka thënë se LDK-ja dhe rugovistët nuk duhet të ndihen të dëshpëruar me rezultatin zgjedhor.

Ai ka pranuar se është rezultat i keq, por sipas tij duhet përballuar, duke vënë theksin se do të ndodhë rikthimi i LDK-së.

“Do të rikthehemi fuqishëm. Por nuk mund të thuhet se gjendja është si më 9 shkurt”.

Haziri ka thënë se është paralajmëruar krizë nga Kurti për shkak të votimit të presidentit, por kjo, sipas tij, duhet të evitohet. Përgjegjësia, sipas Hazirit, i takon partisë së parë, Vetëvendosjes.

“Nuk kemi të hapur proces për president, por duhet të parandalohet kriza e paralajmëruar. Kurti ka paralajmëruar krizë, por paralajmërimi se zgjedhja e presidentit mund të çojë, në teori, në zgjedhje, është paralajmërim i një krize të re, ku Kuvendi mund të dështojë”.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se krizat po zgjidhen ose nga Gjykata Kushtetuese, ose me 8 milionë euro, duke iu referuar buxhetit për organizimin e zgjedhjeve nacionale në Kosovë.

“Kush ka komoditet që çdo krizë politike ta zgjidhë me Gjykatën Kushtetuese dhe me 8 milionë euro? Krejt problemet politike po na i zgjidh Gjykata Kushtetuese, ndërsa 8 milionë euro janë zgjedhjet që i kushtojnë Kosovës”.

“I takon partisë së parë të dalë me marrëveshje, sepse nëse flasim për Kuvend dhe Qeveri, ata e kanë shumicën politike, por për president nuk ka shumicë”, ka thënë Haziri.

Kur është pyetur nëse VV-ja ia ofron pozitën e presidentit LDK-së, Haziri ka thënë se “është krejt proces tjetër”.

“Për këtë çështje duhet të flitet, sepse kemi Kuvendin, Qeverinë e më pas presidentin, që kërkon marrëveshje mes partive politike. Këtë e bën partia e parë, duke e qartësuar se si mendohet të bëhet. Kjo i takon partisë së parë. Partitë serioze dalin para zgjedhjeve dhe tregojnë se si do të duket qeverisja”, ka thënë ai./Periskopi/

Shpërndaje në: