Hill: Rugova ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd, me Thaçin s’kam kontaktuar gjatë bombardimeve

Hill: Rugova ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd, me Thaçin s’kam kontaktuar gjatë bombardimeve

Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill të martën po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai tha se ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij.

Ndërkaq mohoi të ketë pasur kontakt me Thaçin ose Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, kur filloi fushata e bombardimeve të NATO-s, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Rugova i cili ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd shkoi në Vatikan. Ai u lirua nga Beogradi dhe shkoi në Vatikan pas ftesës se një lloj Ministrie të Punëve të Jashtme të Vatikanit. Drejt përfundimit të fushatës ajrore të bombardimeve, m’u kërkua që ta takoj atë dhe që të kuptoj se cilat ishin synimet e tij dhe nëse po planifikonte që të jepte ndonjë deklaratë publike lidhur me fushatën e bombardimeve. Unë bëra këtë gjë, ai nuk e kishte planifikuar që të jepte deklarata publike dhe u ktheva në Shkup”, tha Hill.

Veç kësaj, dëshmitari Hill tha se kur filluan bombardimet e NATO-s kryesisht është marrë me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup.

Duke folur për detyrën e tij gjatë fundit të konfliktit në Kosovë, Christopher Hill tha se komanda e lartë e NATO-s organizoi një mbledhje në Kumanovë e cila ishte për të biseduar me ushtrinë serbe në mënyrë që ata bashkë me forcat policore të largoheshin nga Kosova dhe në vend të tyre të vendoseshin trupat paqeruajtëse.

Ndryshe, Christopher Hill ka filluar dëshminë ditën e hënë më 10 nëntor 2025./Periskopi/

Shpërndaje në: