Hill: Supozonim se Shtabi i Përgjithshëm ishte organ që përbëhej nga komandantët e zonave lokale
Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux, dëshmitari Christopher Hill deklaroi se sipas supozimeve të tyre, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte më shumë një organ ushtarak i cili përbëhej nga komandantët e zonave lokale.
Ndërsa, për Drejtorinë Politike, Hill tha se e perceptonin si një organ që merrej më shumë me botën e jashtme, raporton “Betimi për Drejtësi“, përcjell Periskopi.
“Supozimi ynë… dua të jem i qartë; supozimi ynë në mungesë të fakteve ishte që Shtabi i Përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej nga komandant të zonave lokale që ishin bashkuar në një moment dhe Drejtoria Politike ishte më shumë organi që merrej me botën e jashtme”, tha ai.
Duke folur për Adem Demaçin, dëshmitari Hill tha se ka qenë strikt për çdo temë dhe kishte një lloj mllefi pasi që ka qenë edhe i burgosur.
“Ai ishte shumë i rreptë, shumë strikt për çdo temë. Ai kishte një lloj mllefi se kishte qenë i burgosur dikur. Dihej dhe njihej si person me opinione shumë të forta dhe shumë të egra ndaj Serbisë”, tha ai.
Përveç kësaj, Hill tha se Demaçi nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje.
“Jo vetëm në Kosovë, por edhe pjesa tjetër e Jugosllavisë e dinte këtë. Ai nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje”, tha Hill.
Ndërsa, për ekipin negociator, Hill tha se nuk donte që Demaçi ta konsolidonte këtë ekip duke u bazuar në qëndrimet e tij të prera në raport me Serbinë.



