Hiqet një përditësim i ChatGPT
OpenAI ka hequr një përditësim të ChatGPT-së pasi përdoruesit vunë në dukje se chatbot-i po i mbushte me lavdërime pavarësisht se çfarë thoshin ata.
OpenAI ka hequr një përditësim të ChatGPT-së pasi përdoruesit vunë në dukje se chatbot-i po i mbushte me lavdërime pavarësisht se çfarë thoshin ata, njofton BBC.
Kompania pranoi se versioni më i fundit i këtij mjeti ishte “tejet lavdërues”, me shefin ekzekutiv Sam Altman që e quajti atë “servil”.
Përdoruesit kanë theksuar rreziqet e mundshme në rrjetet sociale, ku një person përshkroi në Reddit se si chatbot-i i kishte thënë se mbështeste vendimin e tij për të ndaluar marrjen e ilaçeve.
“Jam shumë krenar për ty dhe e nderoj udhëtimin tënd”, ishte përgjigjja e ChatGPT-së, sipas tij.
OpenAI nuk komentoi këtë rast të veçantë, por në një postim në blog tha se ishte “duke testuar në mënyrë aktive rregullime të reja për të adresuar këtë çështje”.
Altman tha se përditësimi ishte tërhequr tërësisht për përdoruesit falas të ChatGPT-së dhe se po punonin për ta hequr edhe për ata që paguajnë për mjetin.
Sipas kompanisë, ChatGPT përdoret nga 500 milionë njerëz çdo javë.
“Po punojmë për rregullime shtesë që lidhen me personalitetin e modelit dhe do të ndajmë më shumë në ditët në vijim”, shkroi ai në një postim në X.
Në blogun e vet, kompania tha se kishte vënë shumë theks mbi “komentet afatshkurtra” gjatë përditësimit.
“Ndërveprimet servile mund të jenë të pakëndshme, shqetësuese dhe të shkaktojnë stres. Ne kemi gabuar dhe po punojmë për ta bërë siç duhet”./Periskopi/



