Hoxhaj: Qytetarët duhet ta dinë se Kurti mban përgjegjësinë për mungesën e institucioneve
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, në në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë se është e rëndësishme që qytetarëve t’u sqarohet se kush po e çon vendin në zgjedhje të reja.
“Partitë opozitare para se të kërkojnë që të shkohet në zgjedhje, është mirë t’iu thuhet qytetarëve se kush po i çon në zgjedhje. Është absurde si një lider i një partie politike në opozitë, me lehtësinë më të madhe thua se duhet të shkohet në zgjedhje”, tha Hoxhaj.
Ai theksoi se përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale e mban kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili, sipas tij, nuk ka treguar vullnet për bashkëpunim me partitë e tjera.
“Është më mirë t’iu thuhet qytetarëve që ai i cili nuk po ndërton institucione të reja, nuk ka vullnet për të gjetur partner në opozitë, nuk ka vullnet që të bëjë zgjidhje politike, është përgjegjësi kryesor. Qytetarët duhet ta shohin përgjegjës Kurtin, që ka 48 deputetë, e nuk ka treguar vullnet politik për të bashkëpunuar me partitë tjera, është treguar inatçor që nga fillimi”, shtoi deputeti i PDK-së.
Hoxhaj tha se në këtë kohë nuk është mirë të flitet për zgjedhje të reja, por të kërkohet përgjegjësi politike nga ata që e kanë bllokuar procesin. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve nëse mungon vullneti për zgjidhje të situatës politike.
“Nëse nuk ka vullnet politik, mund të shkohet në zgjedhje”, tha ai./Periskopi/



