Ibrahimi kërkon nga Qeveria që t’i ridestinojë mjetet e pashpenzuara për të ndihmuar komunat

Ibrahimi kërkon nga Qeveria që t’i ridestinojë mjetet e pashpenzuara për të ndihmuar komunat

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar nga niveli qendror që mjetet e pashpenzuara nga buxheti i investimeve kapitale të ridestinohen për të mbuluar pasojat financiare të kontratave kolektive që kanë rënduar buxhetet komunale.

Sipas tij, komunat e Kosovës po tregojnë shembull pozitiv në menaxhimin e financave publike, duke realizuar rreth 70 për qind të buxhetit për investime kapitale, ndërkohë që niveli qendror ka shpenzuar më pak se 40 për qind të këtyre mjeteve.

Ai ka shtuar se ky nivel i lartë i realizimit nga komunat është tregues i përkushtimit ndaj qytetarëve, pavarësisht sfidave buxhetore dhe burokracisë, duke përmendur investime konkrete si shkolla, çerdhe, rrugë dhe infrastrukturë publike.

“Komunat e Kosovës po japin shembull: rreth 70% e buxhetit për investime kapitale tashmë i kanë realizuar. Kur flitet për menaxhimin e financave publike, shpesh përmendet qeveria qendrore si bartëse e përgjegjësive kryesore. Por të dhënat e fundit tregojnë një realitet krejt ndryshe: janë komunat e Republikës së Kosovës ato që kanë dëshmuar përgjatë këtyre viteve dhe po dëshmojnë vizion, përkushtim dhe efikasitet në planifikimin dhe realizimin e projekteve kapitale.

Deri më sot, komunat kanë arritur të shpenzojnë rreth 70% të buxhetit të tyre për investime kapitale, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët si shkolla, çerdhe, rrugë, infrastrukturë publike dhe hapësira të reja në shërbim të qytetarëve. Ky nivel i lartë i realizimit është tregues i qartë se, pavarësisht sfidave buxhetore dhe burokracisë, qeverisja lokale po punon çdo ditë për të përmbushur nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar Ibrahimi për Paparacin.

Sipas tij, ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë arritur t’i shpenzojnë as 40 për qind të buxhetit për investime kapitale, çka sipas tij ngre shqetësime për planifikimin dhe menaxhimin e fondeve në nivel qendror.

“Në anën tjetër, besoj se niveli qendror (ministritë dhe zyra e Kryeministrit) nuk kanë arritur t’i shpenzojnë as 40% të buxhetit për investime kapitale. Kjo jo vetëm që ngre pyetje serioze për planifikimin dhe menaxhimin e projekteve në ministri dhe në Zyrën e Kryeministrit, por edhe krijon një kontrast të thellë me angazhimin e komunave.

Ky kontrast tregon qartë një të vërtetë të thjeshtë: qytetari fiton më shumë kur vendimmarrja dhe mjetet financiare janë më afër tij. Komunat kanë dëshmuar se dinë ta përdorin buxhetin për të mirën e përditshme të njerëzve..

Më e rëndësishmja, pasiqë nivelit qendror çdo vit i teprojnë qindra miliona euro të pashpenzuara nga buxheti i investimeve kapitale, është e domosdoshme që këto mjete të ri-destinohen për të mbuluar pasojat financiare të kontratave kolektive në komuna. Këto kontrata kanë krijuar barrë të madhe buxhetore për qeverisjen lokale dhe pa mbështetje të nivelit qendror, rrezikohet funksionimi normal i shumë komunave dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarët”, theksoi Ibrahimi./Periskopi/

Shpërndaje në: