IKSHPK: Bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni, COVID-19 s’ka mbaruar

IKSHPK: Bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni, COVID-19 s’ka mbaruar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka apeluar që qytetarët të bartin maskat në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen kundër COVID-19.

Ditët e fundit ka pasur rritje të lehtë të rasteve pozitive. Megjithëse IKSHPK-ja ka thënë se situata është e qetë dhe stabile, ka apeluar për kujdes në zbatimin e masave preventive.

“Të nderuar qytetarë! Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni! Kosova shënon këtyre ditëve numër të vogël të rasteve të reja të COVID-19 dhe për më tepër, fatmirësisht, nuk ka as raste të vdekjeve nga kjo sëmundje. Por, në vende të ndryshme të botës, akoma po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja ka ftuar qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19.

“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19. MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksininohen kundër COVID-19”, thuhet në thirrjen e IKSHPK-së.

Pas disa ditëve me raste në vlera njëshifrore, në dy ditët e fundit është shënuar rritje e lehtë me 15 raste të reja të mërkurën dhe 17 të enjten.

Shpërndaje në: