Integrimi i shtypit të Kosovës, në kënetën politike të Shqipërisë

Integrimi i shtypit të Kosovës, në kënetën politike të Shqipërisë

Shkruan: Mero Baze

Dy ditë më parë, akademiku Rexhep Qosja pati një reagim të përmbajtur, që hante shumë debat në interpretim, por jo në fakte. Ai fliste për rrezikun që ka krijimi i një klime negative ndaj Shqipërisë në shtypin e Kosovës, për shkak të problemeve politike dhe personale që disa gazetarë, apo botues në Kosovë, kanë me Edi Ramën.

E vërteta është se Edi Rama rrethohet nga një shtyp armiqësor në Kosovë, jo për shkak të ndjeshmërisë patriotike që ka shtypi i Kosovës, apo nga ndonjë rrezik që i vjen Kosovës prej Edi Ramës. As nga ndonjë ndjeshmëri që ata kanë për demokracinë në Shqipëri, pasi i njëjti shtyp i Kosovës përkrah në Shqipëri pa rezerva, figura më tej se të diskretituara politike dhe morale.

Është thjesht çështje e një shtypi të pozicionuar politikisht në favor të disa klaneve politike në Shqipëri, të cilët meqë nuk gjejnë më mercenarë në Shqipëri, janë shtrirë në Kosovë.

E thënë më qartë, bëhet fjalë për klientët e shtypit të Ilir Metës në Kosovë.

Ndaj Rexhep Qosja e tepëron kur thotë se ata paguhen nga UDB, apo qarqe të tjera antishqiptare, për të dëmtuar raportet Shqipëri- Ksoovë. Jo, është më e thjeshtë, biles e kundërta në disa raste.

Më shumë se sa ndarje mes Kosovës dhe Shqipërisë, ky është një integrim i llumit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku palët kanë shtrirë aleancat në të dy anët e kufirit.

Për ta provuar këtë, mjafton të shikojmë reagimet e së enjtes në mbrëmje, të zyrës së presidentit të Shqipërisë.

Pasi gazetari Baton Haxhiu bëri disa komente të përmbajtura në formën e opinionit mbi lëvizjen e fundit të Ilir Metës, pa e fyer atë, biles në disa raste dhe duke e vlerësuar, presidenti Ilir Meta nxorri zëdhënësin e tij dhe e quajti Baton Haxhiun, qen rrugësh, qen të UDB, dhe fjalë të tjera të rënda, që meritojnë një ekspertizë mjekësore, më shumë se sa ligjore.

Është interesant se si shtypi i Kosovës, që u shqetësua nga Rexhep Qosja, dhe e quajtën atë presion mbi fjalën e lirë në Kosovë, u entuziasmua nga Ilir Meta dhe fyerjet e tij shtazarake, mbi një koleg të tyre.

Ky është një tregues i qartë se shtypi agresiv i Kosovës ndaj Tiranës zyrtare, nuk ka lidhje me qarqe të huaja antishqiptare dhe as që ka ndonjë qëllim ndaj Tiranës nga Prishtina.

Tirana nga Prishtina janë aq larg sa meritojnë të jenë me njëra- tjetrën nga shumë pikëpamje, kulturore, politike, estetike, gjuhësore, historike etj. Ne as i afrojmë, e as i ndajmë dot në mënyrë artificiale.

Kjo që ndodh me shtypin e Kosovës dhe agresivitetin ndaj Tiranës zyrtare, nuk është ndarje, por integrim i shtypit të Kosovës në kënetën politike të Shqipërisë. Dhe nuk e shikoj si shqtësim, pasi dhe ne nuk është se kemi pak zullume në imazhin tonë në Kosovë. E keni parë besoj foton e Çim Pekës me Ramushin. Nuk është e lehtë t’i dukemi normal si shtet, me atë foto.

I vetmi shqetësim është kur bëjnë si moralistë dhe thonë që e bëjmë për lirinë e shtypit të rrezikuar në Shqipëri. Në fakt, krahasuar me Kosovën, liria e shtypit në Shqipëri është më e madhe dhe shtypi është më i lirë nga Tirana zyrtare, se sa shtypi i Kosovës nga klanet politike dhe oligarkët e Kosovës.

Vetëm sot, në një raport të Kallxo.com, tregohet realisht se kush i ka financuar portalet që i fryjnë këtij zjarri./tema.net

 

Shpërndaje në: