Interpelanca e kryeministrit përplasë deputetët e koalicionit

Interpelanca e kryeministrit përplasë deputetët e koalicionit

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje për çështjen e shfrytëzimit të thëngjillit dhe minierën e Sibovcit, meqë deputetët e partive të koalicionit votuan kundër. Në interpelancën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pikërisht për këtë çështje, u paraqitë situatë shqetësuese në fushën e mihjes së re në Sibovc, meqë pjesa e destinuar për mihje tashmë ka mbi 260 ndërtime pa leje.

Kritika ndaj Qeverisë për mos reagim, pati nga deputetët e opozitës, porse përplasje pati edhe mes deputetëve të PDK-së e LDK-së.

Kërkuesja e kësaj interpelance, deputetja e Vetëvendosje, Donika Kadaj theksoi se kjo gjendje do të duhej të ishte shmangur meqë qysh nga viti 2004, ka vendim të Qeverisë për ta trajtuar fushën e Sibovcit si zonë të interesit të veçantë, meqë është e destinuar për mihje të re.

Sipas saj, kjo çështje është ekskluzivisht në kompetencë të Qeverisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik sa i takon garantimit të kushteve të plota për punë të Korporatës Energjetike, si dhe marrjen e masave dhe planifikimin për çfarëdo problemi me zonat e banuara përreth.

Sipas deputetes Kadaj, kjo situatë e ka vendosur KEK-un para faktit të kryer e që tashmë i kërkohet të negociojë për kompensim me ata që janë udhëzuar të cilët shkelin ligjin dhe të rrezikojnë qoftë jetët e familjarëve të tyre, qoftë punën e KEK dhe prodhimin në këtë ndërmarrje.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa edhe pse tha se ekzistojnë arsye që në Kuvend të diskutohet për këto problem sepse janë problem që i preokupojnë çdo ditë, porse një pjesë të rezolutës e quajti të panevojshme.

Por pasi morën fjalën deputetët, debati u nxeh.

Kur pritej që përplasje të kishte mes deputetëve të opozitës dhe pushtetit, ndodhi e kundërta. Përplasje pati mes deputetëve të dy partive në pushtet.

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja akuzoi Qeverinë se po i mashtron qytetarët me ligje të pa implementueshme.

Ai tha se sa është investuar në KEK, ishin bërë dy KEK-a.Por reagoi deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e cila akuzoi disa zyrtarë të PDK-së se po e zhvatin KEK-un, porse nuk ka përmendur emra konkret.

Sipas saj, KEK-un e kanë shkatërruar qeveritë e mëhershme, porse nga përgjegjësia nuk e ka amnistuar edhe qeverinë aktuale që drejtohet nga kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa.

Kryesuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti i reagoi deputetes Tërmkolli, duke i kërkuar asaj që nëse ka fakte konkrete le t’i dërgojë në prokurori apo të kërkojë edhe komision parlamentar hetimor, por mos të bëjë akuza të tilla meqë janë lodhur nga to.

Ndaj deputetes Tërmkolli replikoi sërish deputeti i PDK-së, Shaip Muja, i cili e quajti turp të dëgjosh gjëra të tilla nga deputetët.

Por deputetja Tërmkolli tha se këtë po e bëjnë disa zyrtarë të PDK-së, e jo PDK-ja.

Kritika patën edhe deputetët e partive në opozitë. Deputeti i AAK-së, Rrustem Berisha tha se situata është alarmante dhe se Qeveria duhet të marrë masa urgjente.

Ndërsa, deputeti i Nisma për Kosovën, Zafir Berisha tha se ndërtimi i atyre shtëpive në pjesën ku është e destinuar për shpronësim, është bërë për ta rritur koston e shpronësimit.

Rezoluta e propozuar nga inicuesja e kësaj interpelance Donika Kadaj, e që nuk mori përkrahje ishte që: Qeveria e Kosovës të lirojë zonën së veçantë nga ndërtimet e jashtëligjshme brenda 3 muajve në vijim.

Realizimi i planit nga ana e agjencive qeveritare për largimin e të gjithë sasisë së djerrinës nga fronti i shfrytëzimit të thëngjillit jo më  vonë se 6 muaj.

Të themelohet Korporata publike e thëngjillit së cilës do t’i barteshin ekskluzivisht të gjitha liçencat për hulumtim dhe shfrytëzim të thëngjillit në Kosovë.

Të hetohen dhe ndërmarren masat ligjore ndaj të gjtihë të përfshirëve në këtë rast, që prej atyre që kanë penguar zgjerimin e minierës, e deri te ata që e kanë ndryshuar kahjen e zgjerimit të saj./KosovaPress/

Shpërndaje në: