Qeveria i ka ditët e numëruara, Haradinaj shumë shpejt nuk do të jetë kryeministër
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në një intervistë për Periskopin, ka folur për situatën aktuale politike në vend. Thotë se Ramush Haradinaj shumë shpejt nuk do të jetë kryeministër dhe se qeveria e tij do ta ketë ‘jetën e shkurtë’. Haxhiu ka folur edhe për tema të tjera si Asociacioni, demarkacioni, propozimin e presidentit Thaçi për një Ekip Uniteti për dialogun me Serbinë si dhe për zgjedhjet lokale.
Periskopi: Dy temat ‘e mëdha’: Demarkacioni dhe Asociacioni. Si po i shihni deklaratat e fundit të zotit Haradinaj lidhur me demarkacionin?
Albulena Haxhiu: Sa i përket çështjes së demarkacionit dhe Zajednicës ne tashmë kemi qëndrime të qarta dhe të prera, prej kohës kur janë nënshkruar këto marrëveshje. Lëvizja Vetëvendosje, prej asaj kohe, bashkë me Aleancën dhe Nismën kemi kundërshtuar këto dy marrëveshje. Falë atij angazhimi qytetar kemi arritur t’i ndalim këto marrëveshje, pra as nuk është jetësuar Zajednica dhe as falja e territorit siç ka pretenduar pushteti i kaluar. Dhe tani kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë me marrëveshjen e nënshkruar nga Isa Mustafa janë shkelur 23 nene të Kushtetutës dhe ajo marrëveshje duhet të zhbëhet. Sa i përket demarkacionit, në veçanti, tash së fundi kam dëgjuar deklarata të ndryshme lidhur me demarkacionit. Ka qenë veprim i drejtë që në vend të zotit Meha, në komisionin për demarkaim është zoti Bulliqi por si veprim i parë është dashur që zoti Haradinaj duke ditur kontributin që ka dhënë për atë marrëveshje është dashur ta tërheq atë marrëveshje.
Periskopi: Presidenti Thaçi ka dalë kohë më parë me propozimin për një Ekip i Unitetit, që do të përfshintë përfaqësues të të gjitha partive politike për dialogun me Serbinë. Si e sheh Lëvizja Vetëvendosje këtë propozim të Thaçit?
Albulena Haxhiu: Qëllimi i Thaçit është që përmes këtij procesi të ri të dialogut të bëhet i rëndësishëm në skenën politike, duke pasur parasysh rolin që ka presidenti në vend atij i është dukur që po mbetet në hije të liderëve tjerë në vend dhe natyrisht që kokë në vete pa ia dhënë të drejtën askush, sepse atë kohë ishim në zgjedhje dhe në kohën e përpjekjeve për konsolidim të institucioneve, ai për qëllimë të ulëta, ia dha të drejten vetes për të vazhduar me negociata. Ne kundërshtojmë këtë Ekip të Unitetit që ka propozuar Hashim Thaçi. Lëvizja Vetëvendosje ka qëndrime të qarta sa u përket bisedimeve me Serbinë. Pra përkundrazi, ato marrëveshje që janë nënshkruar në Bruksel vetëm e kanë forcuar Serbinë brenda Kosovës. Ne në prioritetet tona, parahsohim që të analizohen të gjitha marrëveshjet që janë nënshkrua rnë Bruksel dhe duhet të zhbëhen ato marrëveshje që nuk janë në përputhje me interest e Kosovës. Ta kemi të qartë, si pasojë e atyre marrëveshjeve është krijuar edhe Lista Serbe e cila është kundërshtuese e shtetit të Kosovës dhe është e dirigjuar drejtpërdrejtë nga Beogradi.
Periskopi: Një nga çështjet me të cilat po përballet që në ditët e para Qeveria Haradinaj, është edhe ajo e ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo…?
Albulena Haxhiu: Teksa po flasim për Nenad Rikallon, po më kujtohet atëkohë kundërshtimi opozitar për Jabllanoviqin i cili fyejti nënat dhe qytetarët e Kosovës, duke i quajtur ‘egërsira’. Atëkojë, janë dashur 22 protesta gjithandej nëpër Kosovë për ta shkarkuar Jabllanoviqin. Sot, edhe përkundër faktit që pati dëshmi nga qytetarët tanë të lagjes Dardania, por jo vetëm sepse ka pasur edhe dëshmi tjera për torturat që kanë pasur nga Rikallo, zoti Haradinaj hesht përballë deklaratave të tilla dhe nuk e shkarkon një ministër siç është Nenad Rikallo. Qëndrimi i Vetëvendosjes është i qartë, është mirë që Prokuroria ka nisur hetimet, është mirë që Prokuroria me intensitet të shtuar të hetojë të gjitha deklaratat e dëshmitarëve dhe nëse vërtetohen ato, Rikallo të shkojë në burg, sepse për mua, Rikallo është një kriminel i cili duhet të dënohet nga institucionet e drejtësisë. Sa i përket aspektit politik, natyrisht, Haradinaj është dashur ta shkarkojë sa më parë, por ju e dinis e këta i kanë lidhur ngushtë pazaret me Listën Serbe. Pra varet nga Lista Serbe gjithçka.
Periskopi: A mund të ketë protesta për këtë çështje?
Albulena Haxhiu: Tashmë është thirrur edhe debat parlamentar për këtë çështje dhe të presim. Kërkesa jonë do të jetë që të shkarkohet Nenad Rikallo.
Periskopi: Ditët e fundit kemi deklarata për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, përkatësisht LDK, është ajo që thotë se ‘do të punojnë me të gjitha mjetet demokratike për rrëzimin e Qeverisë’. Po Vetëvendosje?
Albulena Haxhiu: Duhet theksu se që prej momentit kur është votu Qeveria Haradinaj, kjo qeveri i ka ditët e numëruara. Jam e bindur se zoti Haradinaj shumë shpejt nuk do të jetë kryeministër i vendit, këtë duke marrë parasysh edhe bilancin e forcave politike që kemi brenda Kuvendit. Zoti Zafir Berisha tashmë ka dalë kundër dhe jemi 60-60 në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje do të angazhohet shumë që për sa kohë të zgjasë kjo qeveri ta bëjë opozitën në Kuvend e nëse është nevoja bashkë me qytetarët edhe nëpër sheshet e Kosovës por do të angazhohemi edhe për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverie. Sa më pak të zgjas kjo qeveri, në Kosovë do të rritet shpresa për një të ardhme më të mirë.
‘Do të iniciojmë sërish krijimin e Komisinit për hetimin e SHIK’ut’
Albulena Haxhiu: Besoj që është tepër e rëndësishme që të krijohet Komisioni Hetimor për SHIK;un duke marrë parasysh të gjitha pretendimet për vrasjet e pasluftës, pretendimet se SHIK;u ka qenë organizatë kriminale, ilegale e PDK’së , nuk i ka shërbyer shtetit, Prokuroria nuk ka marrë asnjë veprim kundër kësaj. Ne natyrisht do të nisim këtë dhe uroj që LDK në këtë mandat do të na japë nënshkrimet sepse mandatin e kaluar kemi pasur pak nënshkrime, nuk kemi arritur që t’i bëjmë 40. Besoj që është edhe në interesin e LDK’së dhe gjithë Kosovës që të dihet përfundimisht ku janë dosjet, si është financuar, kujt i ka raportuar dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me SHIK’un.
Periskopi: Flasim pak për zgjedhjet lokale. Cilat komuna pretendon t’i fitojë Lëvizja Vetëvendosje?
Albulena Haxhiu: Zgjedhjet e 11 qershort shënuan një kthesë historike sepse e vendosën Vetëvendosjen si partinë e parë në Kosovë. Është e pritshme që edhe në zgjedhjet e 22 tetorit Vetëvendosje od të fitojë shumicën e komunave të Kosovës. Tashmë i kemi gati të gjitha çështjet sa i përket nisjes së fushatës zgjedhore. Nesër do ta nisim në Prizren, pres mbështetjen e madhe të qytetarëve. Programet tona janë ndër programet më të mira që kanë mundur ti kenë ndonjë herë qytetarët dhe kemi kandidatët më të mirë.
Periskopi: Kur po flasim për zgjedhjet lokale…një çështjet që ka ngjallur debat kohën e fundit është edhe ajo e kandidatit tuaj për kryetar të komunës së Rahovecit, zotit Visar Korenica. Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga deklaratat e z.Korenica, por a keni menduar edhe shkarkimin e tij, pra largimin nga gara për kryetar?
Albulena Haxhiu: Duhet pasur parasysh se zoti Korenica e ka shkruar atë deklaratë pa qenë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe me sa e did he me sa kam dëgjuar është tërhequr nga kjo deklaratë, duke arsyetuar se e ka bërë nga emocionet në atë kohë. Ne kemi një distancim nga kjo deklaratë duke konsideruar që deklarata të tilla janë të papranueshme dhe besoj që kjo është e mjaftueshme dhe besoj fuqishëm se zoti Korenica është njeriu i duhur për Rahovecin.
Domethënë është bërë një luftë speciale e qëllimshme për ta dëmtuar edhe Vetëvendosjen edhe zotin Korenica por vlerësoj se eksponentë të SHIK’ut nuk kanë arritur që ta bëjnë një gjë të tillë. Pra edhe një herë po konsideroj se duhet pasur kujdes për gjuhën që përdorin pavarësisht emocioneve por theksoj edhe një herë se ato deklarata janë të papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje
Periskopi: Pse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kandiduar asnjë në garën për kryetarë komunash?
Albulena Haxhiu: E pranoj se është gabim, është gabim i madh sepse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë kandidatë grua, por duhet theksuar se Vetëvendosje nuk është imune ndaj mentalitetit patriarchal që është në Kosovë. Mirëpo ka pasur shumë kandidate që kanë qenë jashtëzakonsiht të mira për të kandiduar në komunat përktatse por ka qenë një hezitim i madh i grave për të kandiduar në komunat e tyre. Kjo ndodh për shkak të luftës special që bëhet ndaj grave në politikë. Ju e dini se gratë në politikë përballen me problem të shumta, fyhen edhe nga figura si kryetari i Kuvendit, qoftë nga kryeministri dhe në shoqëritë patriarkale ndoshta shihet si e vështirë që një grua të merret me politikë dhe sikurse ky politika u takon vetëm burrave.
Kjo është e padrejtë. Vetëvendosje do të angazhohet ta ndryshojë këtë mentalitet. Kjo nuk është e mirë, jemi munduar që në mungesë të saj, t ëpaktën në listën për asamble te kemi më shumë gra. Në disa komuna kemi arritur të kemi më shumë se 30 për qind të listës me gra. Në të ardhmen na mbetet të angazhohemi që të kemi më shumë gra.
Periskopi: Në fund, flasim pak për paditë ndaj mediave që ju keni bërë lidhur me raportimin për gazin lotsjellës. Ku ka mbetur kjo çështje?
Albulena Haxhiu: Ka dy vite kur unë kam deponuar padi, nëse më lejohet do t’i përmend edhe portalet, Gazetën Express dhe Indeksonline, padi për shpifje. Por, kanë kaluar 2 vjet dhe askush nuk më ka thirrur lidhur me rastin në fjalë, pra askush nuk është marrë me hetimin e pretendimeve të mia dhe shpifjet që kanë bërë këto portale. Kjo është padi civile dhe jo penale, natyrisht do të interesohem se ku ka mbetë rasti në fjalë. Janë munduar me çështje të tilla, të pamundësojnë aktivitetin tim politik, por përkundrazi, nuk ia kanë dalë, jam shumë e fortë përkundër luftës special në drejtim timin por edhe njerëzve tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. Unë do të merrem me rastin në fjalë sepse kjo pastaj dekurajon edhe qytetarët tjerë lidhur me drejtësinë./Periskopi/



