Intervistë e shqiptarit më të pasur, shumë më i pasur se Behgjet Pacolli

Intervistë e shqiptarit më të pasur, shumë më i pasur se Behgjet Pacolli

Si e vlerësoni ecurinë e Grupit Balfin në 2015-n në raport me 2014-n?

Ecuria e Grupit Balfin ka qenë mjaft pozitive gjatë vitit 2015. Shumë shoqëri të Grupit Balfin kanë konsoliduar pozicionin e tyre në treg dhe kanë fituar treg nga konkurrentët. Në raport me xhiron jemi rritur mbi 16% dhe në raport me performancën jemi rritur mbi 100%. Fokusi i Grupit, në kërkimin dhe aplikimin e metodave më konkurruese dhe eficente në industritë ku operojmë, ka bërë që shoqëritë të rrisin ndjeshëm performancën e tyre.

Sa e keni ndier koniunkturën e pafavorshme ndërkombëtare të çmimeve (për AlbChrome) dhe krizën e konsumit për segmentin e retail (p.sh., Neptun ka rezultuar me rënie të të ardhurave në vitin 2015).

Neptun ka vijuar fuqishëm në tregun e brendshëm, ndërkohë që rënia e të ardhurave lidhet me rënien e eksporteve ndërkombëtare, si pasojë e luhatjeve të herëpashershme që pësojnë tregjet. Gjithsesi Neptun në tregun vendas është rritur në xhiro me 14%, krahasuar me një vit më parë. Ky është një tregues mjaft pozitiv dhe domethënës për Neptun. Ndërkohë që AlbChrome, në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014 ka pasur një rezultat mjaft pozitiv, duke u pozicionuar si një nga shoqëritë më të mëdha dhe kontribuuese të Grupit Balfin. Industria ka sfidat e veta, sidomos për faktin se çmimi i shitjes varet nga koniunkturat e tregut ndërkombëtar. Efektet negative janë ndier në vitin 2016, por fatmirësisht, për arsye të optimizimit të proceseve dhe operacioneve në njësitë e biznesit ky ndikim, edhe pse i konsiderueshëm në rënien e çmimit, është miradministruar.

Grupi po shënon rritje të shpejtë dhe zgjerim në vite. Si po e menaxhoni këtë rritje të shpejtë dhe rreziqet e saj?

Rritja është përballuar duke ndjekur disa strategji. Fokusi kryesor kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë punonjësit e Grupit Balfin. Nuk mund të rritesh nëse nuk ke strukturat dhe stafin e kualifikuar që të suportojë dhe mbështesë rritjen. Nga ana tjetër, ne jemi fokusuar në krijimin e një kulture pune, e cila në mënyrë të vazhdueshme është në kërkim të përmirësimit, mundësive të reja për biznes dhe performancës. Fokusimi në këtë drejtim ka dhënë rezultatet e veta. Biznesi gjithnjë ka pasur dhe do të ketë risqe, e rëndësishme është që të jesh i ndërgjegjshëm dhe i qartë për risqet që ndërmerr, kjo është e gjitha çështje sipërmarrje.

Pse vendosët që të hiqnit dorë nga Carrefour dhe të kaloni te Spar? Pse në vitin 2015, kompania Almark rezultoi me humbje të mëdha dhe kur parashikoni të dilni me fitim?

Ne hoqëm dorë nga Carrefour për arsye se shoqëria në Greqi, nga e cila ne kishim dhe kontratën, pati probleme financiare dhe suporti nuk po jepej. Sapo ne e morëm në menaxhim, njohëm dhe shumë humbje që i përkisnin menaxhimit të mëparshëm. Menjëherë vendosëm që të kalonim në Spar dhe të merrnim vlerën e rrjetit ndërkombëtar gjerman. Rrjeti Spar, pjesë e retail-it të organizuar, kërkon shumë angazhim dhe ka shumë sfida të cilat ne jemi të vendosur që do të përballemi. Plani i biznesit është shumë agresiv përballë një tregu jo të mirorganizuar. Konsumatori është gjithnjë në kërkim të produkteve dhe shërbimeve cilësore dhe Spar ka edhe cilësinë, edhe çmimin. Kjo industri do minimalisht 2 vite investime që të fillojë të gjenerojë fitim.

Vitin e kaluar hytë edhe në sektorin e bujqësisë. Si ka ecur ky investim?

Bujqësia është një sektor shumë delikat, por edhe kompleks njëkohësisht. Këtë vit, ne përfundojmë fazën e dytë të investimeve dhe viti i ardhshëm do të jetë domethënës për realizimin e ekonomisë së shkallës së nevojshme në këtë industri.

Cilat janë planet tuaja në të ardhmen për investime brenda dhe jashtë vendit?

Planet e investimit do të fokusohen në ata sektorë ku ne kemi dhe know how, por sigurisht do të jemi të hapur për të investuar edhe në sektorë të rinj. Në një periudhë afatmesme, ne do fokusohemi që të investojmë në vendet e rajonit. Vendet ku do të fokusohemi do të jenë Bosnja, Maqedonia dhe Greqia.

Shpërndaje në: