INTERVISTË/ Jashari i OVL-UÇK’së lypë nga të zgjedhurit e popullit t’ia kallëxojnë vendin Hekuran Muratit

INTERVISTË/ Jashari i OVL-UÇK’së lypë nga të zgjedhurit e popullit t’ia kallëxojnë vendin Hekuran Muratit

Nënkryetari i OVL’UÇK’së, Xhavit Jashari në një intervistë për Periskopin i ka quajtur të ulëta deklaratat e ministrit Hekuran Murati në vitin 2016 e 2018, ku poshtëronte e fyente ushtarët e luftës.

Jashari u ka bërë thirrje deputetëve që të reagojnë karshi kësaj gjuhe, madje  edhe të kërkojnë dorëheqjen e tij.

Tutje, ai ka folur për propozimin që pritet t’ua çojë kryeministër Kurti pas kërkesave të tyre për përfshirje për Pagë Minimale. Ndërkaq, ka paralajmëruar se do rivendosen me protesta para Kuvendit që në caktimin e seancës për votim në lexim të dytë të Ligjit për Pagën Minimale.

 

Intervista e plotë:

 Periskopi: Si i keni parë deklaratat e rikthyera të Hekuran Muratit, tash ministër i Qeverisë Kurti për ushtarët e UÇK’së, me konotacion poshtërues e ofendues?

Xhavit Jashari: Unë mendoj se janë deklarata të ulëta të një njeri i cili edhe sot po e dëshmon versionin e tij ndaj vlerave të luftës së UÇK’së. Mendoj se këto deklarata do të duhej njerëzit e zgjedhur të popullit të reagojnë dhe t’i tregojnë se në Parlament dhe institucione ka mjaftueshëm njerëz që kanë qenë të gatshëm ta sakrifikojnë edhe jetën për liri. Sidoqoftë, janë deklarata të ulëta dhe për nivelin tim, më vjen keq edhe të deklarohem ose të lëshohem në nivelin e njerëzve të tillë.

Periskopi: Megjithatë, e ka një post të lartë në Qeveri dhe është i përfshirë direkt në Ligjin për Pagën Minimale, për çka edhe po protestoni…

Xhavit Jashari: Ju po e shihni tash se po kemi problem edhe me pagën minimale me këtë qeveri që obligohet me ligj, që të zbatojë atë ligj. Megjithatë ne jemi në pritje të përgjigjes së kryeministrit në të kundërtën, ne do vazhdojmë me protestat ta kundërshtojmë fuqishëm këtë padrejtësi që po i bëhet jo vetëm në këtë drejtim që institucionet ta shkëputin vlerën më të lartë të popullit. Po bëhen përpjekje për degradimin e vlerës kulmore të luftës së UÇK’së.

Periskopi: A do të duhej të jepte dorëheqje ministër Murati pas këtyre deklaratave?

Xhavit Jashari: Le të mbetet në ndërgjegjen e të zgjedhurve të popullit dhe mendoj se ata duhet ta kenë një kërkesë të tillë, jo vetëm të Muratit por kushdo që atakon vlerën sublime, ku pa këtë vlerë nuk do ishim sot këtu. Mendoj se nuk do të duhej në një qeveri normale të ishin pjesë e asaj qeverie.

Periskopi: Është në pritje një propozim për veteranët nga kryeministri Albin Kurti. Afat patën dhënë për javën e kaluar, por nuk e sjellën. As këtë javë deri sot. Pse kjo zhagitje?

Xhavit Jashari: Ne atë ditë në takim kemi shprehë qëndrimet tona. Mospajtimin me vendimin dhe propozimin tonë të ndryshimit të ligjit për të larguar veteranët në Pagën Minimale. Megjithatë, ne jemi këtu dhe nëse thirret seanca në lexim të dytë, do t’i përgjigemi kësaj qeverie. Dhe nuk do të lejojmë jo vetëm kësaj qeverie por asnjë qeverie që të luajë me vlerat e luftës.

Periskopi: Nga bashkëbisedimet që i keni të përditshme me veteran, cili është reagimi tyre. A po shprehin dëshpërim?

Xhavit Jashari: Reagimet, kërkesat, zhgënjimet janë të mëdha. Megjithatë ne po presim dhe nëse nuk do të ndodh, atëherë  nuk do rrimë duarkryq dhe do të përgjigjemi edhe kërkesave të veteranëve dhe do të jemi në ballë të protestave dhe kundërshtimeve për të realizuar të drejtat e tyre.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

 

Shpërndaje në: