Ish anëtari i UÇK-së Ramiz Qeriqi nis dëshminë në Speciale, pyetet për një dokument të 2005-së

Ish anëtari i UÇK-së Ramiz Qeriqi nis dëshminë në Speciale, pyetet për një dokument të 2005-së

Në Gjykatën Speciale ka nisur dëshminë dëshmitari i 55-të, ish anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramiz Qeriqi, i cili është duke u intervistuar nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish krerëve të UÇK-së.

Intervistimin e Qeriqit e ka nisur prokurorja D’Ascoli, e cila e ka pyetur Qeriqin, për një dokument që i është dhënë Tribunalit të Hagës në vitin 2005, dokument ky që ishte nënshkruar nga Shukri Buja.

Pas prezantimit të disa dokumentave, Specialja ka marrë pauzë prej 10 minutash.

Ndërsa, të hënën dëshmitari i 54-të në Gjykatën Speciale, kishte nisur dëshminë në seancë të mbyllur ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga kryetari i trupit gjykues është thënë se arsyeja e mbylljes së seancës në rastin e dëshmitarit me kodin “Ë4739”, është për shkak të mbrojtjes së dëshmitarit.

Para se të nis seanca, trupi gjykues ka pranuar prova materiale, disa deklarata të dëshmitarëve përmes audio-incizimeve.

Nga Specialja të premten për Albanian Post është thënë se gjatë kësaj jave do të jenë dy dëshmitar dhe se njëri do të jetë në seancë publike.

Më 18 prill, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës ua kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli – ndërsa trupi gjykues konstatoi se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë./Albanianpost.com/

Shpërndaje në: