Ish-komunisti jugosllav, Azem Vllasi: Opozita e ka inat Vjosa Osmanin, sepse ka ndarë një ‘fole’ me Albin Kurtin
Ish-komunisti jugosllav, Azem Vllasi, ka folur për mundësinë e kandidimit të presidentes Vjosa Osmani për një mandat të dytë, duke vlerësuar se kritikat e opozitës ndaj saj nuk janë të bazuara në performancë, por në qëndrime politike dhe inate personale.
Vllasi tha se opozita e ka të vështirë të ndajë qëndrimin ndaj Osmanit nga raportet e saj me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin, sipas tij, ajo ka një histori të përbashkët politike.
“Sot nuk ka funksionar që mban ndonjë detyrë publike e që nuk përballet me kritika. Por duhet bërë dallimi mes kritikave të arsyeshme dhe atyre që burojnë nga inatet personale. Opozita e ka inat Vjosa Osmanin sepse, faktikisht, ajo dhe Albin Kurti kanë dalë nga e njëjta ‘fole’ politike, edhe pse sot janë në parti të ndryshme”, ka thënë Vllasi në Tëvë1, transmeton Periskopi.
Ai theksoi se gjatë katër viteve të fundit, Osmani dhe Kurti kanë funksionuar mirë në pozicionet e tyre institucionale, por kjo nuk do të thotë se presidentja ka qenë e varur nga Qeveria.
“Gjatë këtyre katër viteve, të dy kanë funksionuar mirë. Vjosa Osmani nuk mund të thuhet se ka qenë një ‘patericë’ e Albin Kurtit. Ka pasur situata kur ajo i ka bërë vërejtje Qeverisë. Prandaj, nuk është e arsyeshme të thuhet se ata janë bashkë vetëm për shkak të këtyre akuzave. Kur kritikat janë për inate personale, ajo është një çështje tjetër”, u shpreh Vllasi.
Sipas tij, debati rreth një mandati të dytë të presidentes duhet të bazohet në vlerësimin e punës së saj institucionale, e jo në pozicionimet politike të opozitës./Periskopi/



