Ish-shefi i Hysen Durmishit, militant i VV-së, “kap” tenderin gjysmë-milionësh në MASHT, dyshime për shkelje ligjore
Ministria e Arsimit ka dhënë një kontratë për ndërtimin e një salle të edukatës fizike në një shkollë në Gjakovë. Tenderi, me vlerë mbi gjysmë milioni euro, i është dhënë një kompanie të lidhur me një militant të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkohë, në Gjykatën e Tenderëve, një kompani është ankuar se Ministria ka kufizuar afatin ligjor dhe qasjen në dokumente, shkruan Insajderi.
Kur qytetarët festonin Vitin e Ri, Ministria e Arsimit po kujdesej që 539 mijë euro të shkonin në adresën e duhur.
“SOPI GROUP”, është kompania që Ministria e shpërbleu me kontratë për “Ndërtimin e Sallës së edukatës fizike në SHFMU “Mustafa Bakija” në Gjakovë“.

Sipas dosjes se tenderit në garë ishin gjashtë kompani.
Ministria e Arsimit akuzohet për shkelje ligjore
Një kompani ka dorëzuar ankesë pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër Ministrisë së Arsimit, lidhur me tenderin për “Ndërtimin e Sallës së edukatës fizike në SHFMU ‘Mustafa Bakija’ në Gjakovë”.
Ankuesit pretendojnë se Ministria e Arsimit (Autoriteti Kontraktues) ka shkelur qëllimisht parimet e transparencës dhe barazisë duke publikuar vendimin për dhënien e kontratës më 31 dhjetor 2025, pikërisht në prag të festave të fundvitit.
Sipas kompanive, kjo kohëzgjedhje e pazakontë ka pasur për qëllim kufizimin e afatit ligjor për të ushtruar të drejtën e rishqyrtimit, duke e reduktuar atë praktikisht në vetëm një ditë pune efektive.
“AK gjate vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve nuk ka zbatuar me përpikëri të gjitha dispozitat e Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L092. Përpos kësaj AK nuk ka respektuar as kërkesat e dosjes së tenderit të cilat vetë i ka parashtruar në fillim të këtij procesi të prokurimit” , thuhet në ankesë.
Një tjetër pretendim lidhet me bllokimin e qasjes në dokumentacionin e tenderit. Ndonëse kompanitë kishin kërkuar qasje zyrtare që më datë 3 janar 2026 përmes platformës e-Prokurim, ato deklarojnë se Ministria nuk e ka hapur apo shqyrtuar kërkesën deri në skadimin e afateve ligjore.
Në ankesë theksohet se:
- Kërkesa figuronte vetëm me një shenjë verifikimi (√), që sipas platformës dëshmon se dokumenti është dërguar por nuk është lexuar nga institucioni.
- Dokumentet u janë dërguar ankuesve vetëm më 7 janar 2026 përmes email-it, jashtë platformës zyrtare dhe pasi kishte skaduar afati për rishqyrtim.
“Mosleximi dhe mosdhënia e qasjes deri në këtë fazë të vonshme të ditës së fundit të afatit ka pamundësuar ushtrimin real dhe efektiv të së drejtës për rishqyrtim. Edhe në rast se Autoriteti Kontraktues do të siguronte qasje në orët e mbetura të ditës, ushtrimi i kësaj të drejte do të ishte objektivisht i pamundur, për shkak të nevojës për shqyrtim fizik të dokumentacionit të operatorëve ekonomikë konkurrues, analizë të procesit të vlerësimit dhe përgatitje të një kërkese të argumentuar ligjërisht“, thuhet në ankesë.
Në fund kompania ka kërkuar që lënda të kthehet në ri-shqyrtim.
Lidhja e kompanisë me VV-në
Ministri Hysen Durmishi, në CV-në e tij kishte shkruar se punonte si menaxher në kompaninë NNP “Sopi” në vitin 2009 -2010, me pronar Naim Sopaj nga Suhareka.
Sopa ka hequr dorë nga të qenit drejtor dhe aksionar në kompaninë Sopi në qershor të vitit 2023, duke e mbyllur kompaninë N.N.P. “Sopi” dhe të njëjtën ditë që e ka shuar këtë, e ka hapur kompaninë “Sopi group SH.P.K”.

Tash në këtë kompani është veç person kontaktues, ndërsa aksionet i ka ndarëse tek dy fëmijët e tij, Samiu dhe Abdyli.

Sopi e kishte mbyllur kompaninë menjëherë pasi ishte diskualifikuar nga një tender në Ministrinë e Ambientit.
Bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i digave – Sistemi i monitorimit të digave ekzistuese dhe studimi i fizibilitetit për 3 diga të reja”. Në fakt, ai kishte arritur të shpallej fitues i njërës nga tri kontratat për këtë projekt, por pas një vlerësimi të tenderit që ishte bërë edhe një herë për shkak të ankesave, ishte verifikuar se nuk i plotësonte kushtet teknike për kontratat e ngjashme të realizuara në tri vitet e fundit siç ishte kërkuar dhe ishte skualifikuar nga gara, duke e hapur më pas kompaninë e re.
Në e-prokurim, kompania e re ka disa kontrata aktive të lidhura vetëm me Ministrinë e Arsimit./Periskopi/

Naim Sopaj pos që ka qenë punëdhënës i zëvendësministrit, Hysen Durmishi, është militant i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Postimet e tij në rrjetin social “Facebook”.










