Ish-ushtari i UÇK’së, gjermani Roland Bartetzko tregon se kush ishin më trima në luftrat në ish-Jugosllavi, shqiptarët, kroatët apo boshnjakët
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjermani Roland Bartetzko, i cili aktualisht ndodhet në Ukrainë duke ndihmuar luftëtarët ukrainas kundër agresionit rus, ka ndarë një opinion mbi trimërinë dhe aftësinë luftarake të forcave të ndryshme gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Në një përgjigje publike në platformën Quora, Bartetzko është pyetur se cilët ushtarë ishin më trima gjatë këtyre luftërave, shqiptarët, kroatët apo boshnjakët.
Ai thekson se ka parë guxim tek të treja palët, por edhe raste frike dhe ikjeje në panik, duke theksuar se trimëria nuk është çështje kombësie.
“Kam parë ushtarë nga të gjitha këto kombe të luftojnë me guxim. Por kam parë edhe disa prej tyre duke ikur në panik,” shkruan ai.
Bartetzko kujton edhe një thënie të përhapur gjatë Luftës së Bosnjës se serbët kishin pajisjet më të mira ushtarake si trashëgimi e ish-Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, kroatët organizimin më të mirë, ndërsa boshnjakët konsideroheshin luftëtarët më të fortë në terren. Megjithatë, ai thekson se realiteti i luftës është shumë më kompleks.
Sipas tij, faktorët që përcaktojnë performancën e një ushtrie janë , udhëheqja dhe besimi tek komandantët, përvoja dhe trajnimi, motivimi, përfshirë ndjenjën e përkatësisë dhe arsyen e luftës – mbrojtje apo agresion – ideologjia si dhe organizimi ushtarak.
Bartetzko vlerëson se kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës ishin përgjithësisht luftëtarë më të mirë sesa forcat serbe që i sulmonin. Sipas tij, pavarësisht epërsisë së madhe në armatim, ushtria serbe vuante nga mungesa e motivimit dhe disiplinës.
“Kjo është arsyeja pse edhe sot, si në Ballkan dikur ashtu edhe në Ukrainë sot, faktorët jo-materialë – motivimi, organizimi dhe bindja se po lufton për mbijetesë – rezultojnë më të rëndësishëm sesa tanket dhe artileria,” thekson ai.
Roland Bartetzko është shtetas gjerman dhe ish-ushtar vullnetar që ka marrë pjesë në të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, përfshirë Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën. Gjatë viteve 1998–1999, ai luftoi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas përfundimit të luftërave në Ballkan, Bartetzko është bërë i njohur për analizat e tij kritike mbi luftën, moralin ushtarak dhe psikologjinë e konfliktit. Aktualisht, ai ndodhet në Ukrainë, ku po ndihmon luftëtarët ukrainas në përballje me agresionin rus./Periskopi/



